‘Gjilani’ – fitues i 3 çmimeve në festivalin ‘Kaçaniku 2022’

Ansambli i Këngëve dhe Valleve ‘Gjilani’ është kthyer nga Kaçaniku ku ishte pjesëmarrës në Festivalin mbarëkombëtar ‘Kaçaniku 2022’ me tri çmime.

Nga juria profesionale, gjilanasit u vlerësuan ndër tri Ansamblet më të mira të Festivalit, Lumturie Shabani –  këngëtarja më e mirë, kurse Rina Berisha –  valltarja më e mirë.

Para një publiku të shumtë e artdashës u interpretuan valle burimore të udhëhequra me mjeshtri nga valltari i njohur Rifat Idrizi e valle koreografike me motive kosovare dhe këngë te përzgjedhura nga këshilli artistik i Ansamblit, me veshje kombëtare dhe kolorit të shkëlqyer dhe u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku.

Këngët e interpretuara nga vajzat tona Lumturie Shabani dhe Finesa Selimi, pastaj nga këngëtarët: Arbër Maliqi, Afrim Haziri, Nehat Ferati, Meti Maloku, Eroll Ahmeti, bënë që programi ynë artistik të kurorëzohet me vlerësimin e merituar si nga juria profesionale ashtu dhe nga gjithë artdashësit në përgjithësi.

Orkestra profesionale e udhëhequr nga mjeshtri gjilanas Murat Ismajli i dha ngjyrën e mrekullueshme gjithë programit artistik.

Kjo pjesëmarrje e Ansamblit Gjilani në këso lloj ngjarjesh kulturore konsiderohet shumë e dobishme për shkëmbimin e eksperiencave te të rinjtë ku iu dha mundësia që të shkëmbejnë përvoja dhe vizione të ndryshme mes tyre.

Pjesëmarrja e Ansamblit si përfaqësues i komunës së Gjilanit ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe dinjitoze.

Pjesëmarrja e AKV “Gjilani” në këtë Festival është mundësuar nga kontributi i jashtëzakonshëm i anëtarëve të ansamblit.

Ansambli po vazhdon intenzlsivisht punën me synimin që të ruhen dhe të kultivohen vlerat tona tradicionale dhe shpirtërore, me shpresën që në të ardhmen mbështetja institucionale do të jetë edhe më e  madhe. (foto arkiv)