Kur Hogoshti ishte Komunë, Kamenica s`i kishte më shumë se 60 shtëpi

Hogoshti i Kamenicës dikur ishte Komuna më e vjetër në regjionin e Gjilanit.

Sipas banorëve atje, kur Hogoshti ishte komunë, në vitin 1921, Kamenica nuk kishte më shumë se 60 shtëpi, shkruan Mediafokus.info

Por, pushteti komunist i kohës ia hoqi Hogoshtit statusin e komunës, në vitin 1959, si hakmarrje për rezistencën që kishte hasur në këtë zonë, gjatë luftës së vitit 1945.

Kamenica dominohej nga serbët dhe vendimi i pushtetit të atëhershëm për të bartur pushtetin lokal nga Hogoshti në Kamenicë, ishte edhe politik.

Aty është akoma objekti i dikurshëm i Komunës, ndërkohë që banorët kujtojnë kohën kur në Hogosht lëvizte me qere kryetari i atëhershëm, Sabri Vranja.

Sipas banorëve, Hogoshti i përmbush të gjitha kriteret për të qenë njësi administrative dhe territoriale në vete, aq më parë kur këtë status e ka pasur për rreth dyzet vjet me radhë.

Është epiqendër e zonës gjeografike, ka numrin e banorëve, hapësirën territoriale, infrastrukturën publike dhe resurse humane e ekonomike për të funksionuar si Komunë.

Një e treta e territorit të tashëm të komunës së Kamenicës i takon Bashkësisë Lokale të Hogoshtit dhe distanca me fshatin më të largët, Tërstenë, është 15 kilometra, derisa me Kamenicën, kjo largësi është dyfish më e madhe.

Hogoshti ishte njësi administrative edhe në kohën e Turqisë.

Hogoshti përfshin 25 fshatra, me një sipërfaqe prej rreth 20 mijë hektarë si dhe afër 10 mijë banorë, të cilët iu përkasin tri etniteteve, shqiptarë, serbë e romë.

Ky lokalitet i pjesës lindore të Kosovës, ka kushte për zhvillimin e industrisë së drurit, bujqësisë dhe blegtorisë, por është i pasur edhe me xehe, sidomos me hekur, antimon dhe minerale tjera.

Po ashtu, arsimi ka një traditë të gjatë në Hogosht, ku u hap shkolla e parë shqipe qysh në vitin 1941, me mësues Fadil Hoxhën. Telefonia në Hogosht funksionon prej vitit 1925.

Por, komunë më vete, s`u bë se s`u bë pas luftës, edhe pse u dhanë premtieme u morën vendime në qeveri. /Mediafokus.info