Rreth 6 mijë nxënës dështuan në testin e maturës
Rreth 6 mijë nxënës kanë dështuar në provimin e maturës nga rreth 22 mijë maturantë. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur t’i marrë 100 pikë.
Kështu tha në Radio Klan Kosova, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Standard, Monitorim dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit.
Sipas tij, vetëm një nxënës ka arritur të marrë 95 pikë, derisa 77 i kanë mbi 90 pikë.
“Kemi rast me 95 pikë, ndërkaq vëtëm 0.4 për qind e nxënësve i kanë mbi 90 pikë, ose 77 nxënës janë mbi 90 pikë. Janë mbi 22 mijë maturantë”, tha Elezi.
Ai theksoi se rreth 6 mijë maturantët që nuk kanë arritur ta kalojnë provimin e maturës në afatin e parë do t’i nënshtrohen në afatin e dytë në muajin gusht.
Për të kaluar me sukses testin e maturës nga 100 pyetje një nxënës duhet t’i ketë 40 për qind prej tyre të sakta.

