Ambasadorja franceze me porosi për dialogun Kosovë – Serbi: S’ka integrim në BE pa marrëveshje mes dy vendeve

Ambasada franceze në Kosovë ka organizuar pritje me rastin e Festës Kombëtare të Francës mbrëmë në Prishtinë, ku ndër të tjera u diskutua edhe lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, raporton Gazeta Sinjali.

Ambasadorja franceze, Marie-Christine Butel, tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave, megjithëse nuk iu dha drita e gjelbër nën presidencën franceze.

“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtetë diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton KP.

Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve.

“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.