Në gjykatat e Kosovës mbi 236 mijë lëndë po presin verdiktin e gjyqtarëve
Në gjykatat e Kosovës, mbi 236 mijë lëndë të ndryshme janë në pritje për t’u zgjidhur.
Gjykata Themelore e Prishtinës prin me lëndët e pazgjidhura. Kjo po konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut, derisa nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) thonë se janë disa faktorë që kanë ndikuar në grumbullimin e lëndëve.
Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, në periudhën janar-qershor të këtij viti janë regjistruar 236 mijë e 329 lëndë të pazgjidhura nëpër gjykata.
KGjK në raportin gjashtëmujor thekson se Gjykata Supreme, Dhomat e Posaçme, Gjykatat e Apelit dhe ato themelore kanë pasur në punë mbi 295 mijë lëndë, i kanë trashëguar mbi 222 mijë dhe i kanë pranuar 73 mijë e 276 të tjera. Në periudhën janar-qershor, gjykatat nga lëndët e grumbulluara kanë arritur t’i zgjidhin 59 mijë e 261 lëndë, derisa në proces kanë mbetur mbi 236 mijë të tjera.

