Anita Sylës i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehures A. S.
Ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura, në ambient familjar, në prezencë edhe të personave të tjerë ka tentuar të privojë nga jeta tani të dëmtuarin P. C., në atë mënyrë që derisa kanë qenë duke ndenjur në dhomën e ndejës, ka shkrepë me armë zjarri – pistoletë, duke goditur të dëmtuarin në këmbën e djathtë, me ç’rast i shkakton dëmtime trupore dhe i njëjti detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Spitalin Regjional të Gjilanit.
Me këto veprime e pandehura dyshohet se ka kryer veprat penale, ‘vrasje në tentative’ dhe ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

