Ky është fshati ku jetohet pa energji elektrike

Në një kohë ku e gjithë bota është futur në një krizë energjetike, për shkak të çmimeve të larta, një fshat i lashtë në Amerikën Qendrore, është më pak i prekuri nga ky shqetësim, përcjellë A2CNN.

Santa Cruz, një vendbanim i hershëm i fiseve Maja, shtrihet në një luginë të vogël mes maleve të thepisura në Belize.

Në këtë fshat, banorët e paktë në numër jetojnë ende në banesa me çati kashte dhe merren me kultivimin e misrit, patates dhe kakaos.

Kjo është një mënyrë jetese që ka mbetur e pandryshuar për shekuj me radhë. Ky komunitet jeton në harmoni të plotë me natyrën, duke qëndruar larg çdo zhvillimi teknologjik.

“Ne jetojmë me tokën, diellin, shiun,” – thotë Jose Mes, një nga drejtuesit e komunitetit të Santa Cruz. Ai shpjegon se ka qenë dëshirë e vetë banorëve për të jetuar si të parët e tyre, por është ndikuar edhe nga kushtet e vështira.

Fshati, shtrihet shumë larg rrjetit kombëtar të energjisë elektrike, duke e bërë të vështirë dhe të kushtueshëm elektrifikimin e kësaj zone.

“Jeta jonë në këtë fshat është e izoluar nga pjesa tjetër e botës. Na është dashur të luftojmë fort për të mbrojtur tokën, shtëpitë tona dhe traditat tona të lashta, por kjo po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi bota po ndryshon me shpejtësi.”

Së fundmi, fshati po sheh një rritje të turizmit nga vizitorë të shumtë që vijnë për të parë gjurmët e fiseve Maja. Kjo padyshim po i jep vendasve më shumë të ardhura, mirëpo nga ana tjetër ata po përpiqen të jenë të kujdesshëm që turizmi të jetë i kontrolluar.

Qeveria po tenton të zhvillojë infrastrukturën, të ndërtojë hotele, si dhe shumë shërbime të tjera për vizitorët.

Megjithatë, kjo nuk po i pëlqen aspak komunitetit vendas, madje ata janë të shqetësuar, pasi mendojnë se këto zhvillime mund të rrezikojnë trashëgiminë e tyre, të ruajtur me aq fanatizëm deri më sot.