Arrestohet dietologia

Një 41-vjeçare është arrestuar sot pasi si dietologe merrte nga qytetatët deri në 300 euro për receta dietike.

Sipas policisë, ajo fshiu nga telefoni i saj bisedat me klientë me qëllim moszbulimin e të vërtetës.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një aktivitet të paligjshëm, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dietologia”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetases S. B., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Kjo shtetase administronte një subjekt në zonën e Brrylit, të cilin nuk e kishte të regjistruar pranë organeve përkatëse dhe fshihte të ardhurat e fituara prej tij.

Në bazë të verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasja S. B. prezantohej si dietologe dhe me anë të mashtrimit përfitonte shuma të ndryshme parash, nga 150-300 euro, nga qytetarë të ndryshëm, për përgatitjen e dietave të personalizuara.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, kjo shtetase ka fshirë nga telefoni i saj, bisedat me qytetarët (klientët), me qëllim për të penguar zbulimin e së vërtetës.