Haradinaj pas takimit me Kurtin: S’ka marrëveshje me Serbinë pa vulën e Amerikës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti e ka bërë të qartë se AAK-ja nuk do të përfshihet në qeverisje për nënshkrimin e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E përfunduam takimin, tema ishte marrëveshja me Serbinë, pra marrëveshja reciproke. E diskutuam procesin, marrëveshjen, i diskutuam sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Pra ishte një proces me përmbajtje, kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshje Kosovë- Serbi”, tha Haradinaj, raporton Demokracia.com.

Se çka përmban ajo marrëveshje dhe a u përmend drafti franko- gjerman, Haradinaj u shpreh se kanë diskutuar të gjitha nenet.

“Diskutuam të gjitha nenet, jemi munduar të japim kontributin tonë, do të vazhdojmë të japim kontributin si Aleancë, që Kosova në këtë proces të arrijë sukses. Besoj që është e rëndësishme që ky proces ta ketë vulën e Amerikës, sepse nuk mund të konsiderohet si i sigurtë pa nënshkrimin dhe vulën e Amerikës. Besoj shume në këtë. E kjo ishte kërkesë e imja që ta kishte garancinë e Amerikës. Marrëveshja finale duhet të ndodhte në Uashington”, u shpreh Haradinaj.

I pyetur nga gazetarët se sa janë gjasat që AAK-ja të përfshihet në qeverisje, në momentin kur do të nënshkruhet kjo marrëveshje, Haradinaj e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.

“Duhet t’i marrim parasysh vendimet e dialogut, por duhet të jemi sa më serioz në këtë proces. Duhet të punojmë që Kosova të del e suksesshme nga ky proces. Duhet të jemi sa më serioz. Duhet të punojmë që Kosova të del e suksesshme. Nuk bëhet fjalë për agjenda zgjedhore e qeverisëse, por bëhet fjalë për fatin e fëmijëve tanë, brezave të ardhshëm… Ne jetojmë sot me obligimet që ka marr Kosova në dialog dhe nuk mund të ikim nga ato obligime sikur e shihni”, u shpreh ai.