Lirohet nga detyra Drejtori i Kardiokirurgjisë, shkak – vdekja e pacientit

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se e ka liruar nga detyra e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimajn, për rastin me pacientin që vdiq këtë muaj në QKUK.

“Ushtrues detyre i drejtorit është caktuar doktori Shpejtim Shurdhiqi”, thuhet në njoftim.

Edhe Oda e Mjekëve të Kosovës, ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Kushtrim Shala dhe drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, pas vdekjes së pacientit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka autorizuar Policinë e Kosovës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për rastin me pacientin që vdiq dy ditë më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pas një operacioni të rrallë në zemër.

Lajmin për Albanian Post, se pacienti ka ndërruar jetë e kishte konfirmuar edhe drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.

Brahimaj, tha se “rasti do të hetohet”, ndërsa “masat do të ndërmerrën konform rregulloreve në fuqi”.

“Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Do të ndërmerren masa konform rregulloreve”.

Drejtori sqaroi se mjeku ka qenë vetë përgjegjës për operacionin, por që nuk e ka pasur përvojën.

“Ka qenë vetë kujdestar, personi vetë vendos për çfarë operacioni dhe çfarë lloj operacioni dhe të nesërmen raporton për punën që ka bërë, masat mund të ndërmerren nëse ka pasur shkelje që s’ka qenë konform me rregulloren dhe kodin profesional”.

I përfshirë në këtë rast ka qenë edhe kirurgu Endrit Shala.

Thirrje që ky rast të trajtohet me seriozitet ka bërë edhe Kryetari i Shoqatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra./Albanianpost.com