Organizimet pararendëse të UÇK-së dhe fitorja historike e saj

Izmi Zeka

Ngjarjet me peshë historike kanë kontinuitet. Rastësi në historinë e popujve nuk ndodhin.

Në këtë rrjedhë do të mundohem të paraqes ngjarjet dhe emrat të cilat sollën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në këtë kontekst edhe Betejës së Zhegocit e cila është temë trajtimi e këtij shkrimi.

Përpjekjet për bashkim kombëtar apo rezistenca shqiptare ndaj pushtetit serb ka qenë pothuajse qindvjeçare. Por do të ndalemi pikërisht te periudha pas Luftës së Dytë Botërore.

Mulla Idrizi dhe Shaban Polluzha mund të jenë dy figura që mbajtën gjallë me përpjekjet e tyre edhe me luftë për t’u shkëputur, respektivisht për të krijuar shtetin dhe bashkimin kombëtar.

Pas LDB–së edhe pse Kosova mbeti nën Jugosllavinë e Titos, por asnjëherë rezistenca politike përmes formave të ndryshme ilegale nuk u ndal.

Do t’i përmend këtu grupet të cilat kanë vepruar dhe kanë mbajtur gjallë frymën atdhetare e të cilat edhe pse kishin dallime të vogla në kërkesat e tyre, arritën që të ruajnë idenë, qoftë të bashkimit kombëtar e po ashtu edhe të një Kosove të lirë.

Nëse i shohim organizatat e pas LDB mund t’i definojmë edhe në bazë të programit që kishin e mund të shihen në tri orientime që çonin në zgjidhjen e çështjes shqiptare që ishte nën Jugosllavi

1.Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë
2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe
3. Republika e Kosovës.

Që të tri këto orientime programore të shtruara ishin konsistente në veprime dhe qartësi politike.

Orientimi i parë programor për bashkimin e trojeve shqiptare me Shqipërinë, në programin e saj kishte paraparë LNDSH, Besa Kombëtare, Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Etnike me Shqipërinë (1958); “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959); “Komiteti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“ (1960) ,,Grupi Revolucionar”, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (1963), OMLK e dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi.

Që të gjitha këto organizata ishin vazhdimësi e lëvizjeve ilegale për çlirim kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit (1878) e këndej.

Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret, në një republikë në kuadër të RSFJ-së.

Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968, por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989

Sforcimi i kësaj kërkese erdhi si rezultat i rrethanave evropiane dhe ndryshimeve që po ndodhnin edhe në vendet e lindjes dhe shkapërderdhjes se Federatës Jugosllave.

Lëvizja ilegale në Kosovë që nga viti 1982 merr kuptimin e shtrirjes në nivel të Kosovës dhe më gjerë nën udhëheqjen e Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Figurat e rëndësishme politike e intelektuale dhe kombëtare prej pas Luftës së Dytë Botërore që ndikuan në të gjitha proceset që kaloi Kosova për 50 vite e që ndikuan në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare ishin duke filluar nga Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Kadri Osmani, Mehmet Hjarizi, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu e shumë figura tjera.

Natyrisht këta ishin vetëm disa emra e që këtij vargu kemi me qindra dhe mijëra që ishin pjesë e luftës së pandërprerë çlirimtare.

Si rrjedhojë e këtyre përpjekjeve erdhi deri te formimi i Ushtrisë Çlirimtare, më 17 nëntor 1994, duke u pasuar shpejt me daljen e saj publike, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt, në varrimin e mësuesit Halit Geci.

Lufta në Prekaz më 5, 6 e 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve, 22 prej të cilëve, familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit në Prekaz, nga distanca kohore dhe aspekti historik e shkencor merr këto portretizime:

Mbyll një kaptinë të dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës dhe fillon një etapë e re;

Kthen dinjitetin pothuajse të përbuzur;

Qartëson më shumë se kurrë pozicionin e shqiptarëve në raport me Serbinë;

Krijon rrethana politike e diplomatike më të favorshme në Ballkan, Evropë dhe Amerikë;

Ruan koherencën në veprime duke i përshtatur rrethanave në Kosovë dhe në fund;

Shënon ngjarjen më të rëndësishme historike të shekullit XX, fundin e një regjimi të huaj.

Pas kësaj ngjarje lufta merr përmasa tjera në zgjerimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmasat e saj përveç luftës që zhvillohej me forcat policore e ushtarake serbe mund të themi se përherë të parë zhvillohej edhe diplomacia e UÇK-së.

U krijua një lidhje e fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë e po ashtu edhe me NATO-n.

Nga mbështetja ndërkombëtare në veçanti e amerikanëve u arrit që të organizohet Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën.

Me 6 shkurt të vitit 1999 e që zgjati deri më 23 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në Francë.

Në këtë konferencë nga Kosova merrnin pjesë përfaqësues të UÇK-së, LDK-së dhe LBD-së. Kryetar i delegacionit ishte Hashim Thaçi

Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.

Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme.

Delegacioni i Kosovës në krye me Hashim Thaçin, kishin nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga ndërkombëtarët dhe organizatoret e Konferencës, së cilës në një mënyrë i printe SHBA dhe Anglia, kurse delegacioni serb një projekt- marrëveshje, që parashihte projekt marrëveshje politike për vetëqeverisje në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, nuk pati mirëkuptim që ta pranonte  marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan bombardimin e trupave ushtarake të Serbisë.

Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Për të rrumbullakuar këtë trajtesë të përshkrimit të ngjarjeve 50 vjeçare, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ndër të arriturat më të mëdha të përpjekjeve për çlirim pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Nga lufta e UCK-së dhe intervenimi i NATO’s, Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj.

Prandaj e vetmja luftë që kombinoi edhe diplomacinë dhe luftën politike, mbetet kjo e UÇK-së.

Natyrisht, diplomacia dhe sigurimi i aleatëve janë ndër faktorët më të rëndësishëm për arritjen e objektivave të një populli.