“Kur ki rahati n’shpi, puntë nuk janë t’rana kurrë”
Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…
Njëra nga këto personazhe është Refiqe (Hajdini) Zahiri (1923) e lindur në Llofcë, e martuar në Pogragjë, ku jeton me motrën, nipat dhe mbesat.
E takova në Gjilan te vajza e saj. Aty e kalon një pjesë të jetës. U befasova me dashurinë edhe kujdesin që e kishte nga familja e saj: motra, vajza e saj, nipat e mbesat, të cilët i përmendte vijimisht (sidomos djemtë e motrës së saj).
Shumë rrallë më ndodhi të takoj një të moshuar që thotë se nuk i ka mbetur asgjë merak për këtë jetë dhe se krejt çka ka dashur i ka edhe i ka pasur, e halla Refiqe (po e quaj halla Refiqe pasi është kusherinë e imja, gjak imi) po pasi e pashë përkujdesin ndaj saj nuk u habita me ketë thënie të saj: “Për kurgja s’um jet marak kejt shka kam dashtë i kam pasë edhe i kam, faleminderit pi t’madhit Allah”.
Halla Refiqe ende lexonte pa syza në Kuranin famëlartë, ende punonte punë dore: çorape e punë të tjera, bile si dhuratë më dha një palë çorape t’leshta të punuara nga vetë ajo; tërë verën kishte punuar në kopsht dhe ende i falte pesë vaktet e namazit.
Si zakonisht, më interesonte jeta në rininë e saj dhe ajo e fillon tregimin: “Kur jam kanë e re jeta në Llofcë u kanë e shtirë, jo veç e jona, po e kejtve, na bile si familje i kemi pasë renet mirë, punë asht ba shum, edhe hekat janë kanë t’mdhaja. Llofca u kanë ven që ka pasë shum lloq e sidomos dimnit, me shkue te bunari me mush ujë u dashke me shtrue gur se u kanë lloq i madh. Edhe bunari u kanë katërmdhetë pash i fell (afërsisht nja pesëmbdhjet metra), kejt ujin a dasht m’e nxerrë me kofa e me dorë, shtirë u kanë. Tana puna në ara, jo xhaja, jo musafirë, kurrë s’jena kanë pa musafirë, po kur e di shka kanë hekë do t’tjerë n’katun na jena kanë shum mirë”.
Ajo e vazhdon rrëfimin edhe për kohën mbasi ishte martuar në fashtin fqinj, Pogragjë: “Unë u martova në Pogragjë, edhe te burri kushtet i kena pas t’mira n’krahasim me shumicën e katunit, po në Pogragjë u kanë ma lehtë se toka ma e mirë, ma lehtë me punue, ujë ka pasë bollak edhe u kanë ma lehtë. Une kam punue shum, tokën, jo xhaja, edhe puntë e shpisë; kemi pasë shum t’himë e dalun. Po me burrin jam kanë shum rahat edhe s’kam pasë probleme; tana puntë u harrojshin halles, kur ki rahati n’shpi puntë nuk janë t’rana kurrë”.
Për jetëgjatësinë e saj dhe shëndetin e mirë ajo thotë: “Halles ushqimin e kam hangër gjithmonë të mirë, çajin e kam pi shum edhe kafe kam pi bajgi shum, e kur ja shton edhe rahtllakin kejt ktyne, nashta qajo asht pse kam jetu qekaq, po, megjithatë, ky asht vullnet i Perenisë na s’mujmë m’e zgedhë sa kena me jetue, naj cakton Perenija sa kemi me jetue. Une krejt shka ka ardhë pi Perenisë e kam pranue si sprovë, prej dymbdhjet fmive sa i kam pasë tash e kam veç qet çikë që jam tu jetue me ta, e që, faleminderit, se m’i pasë pasë edhe dyqin djem e çika s’isha kanë ma e lumtun edhe ma e knaqtë se me kta. Krejt fmija um kanë ndrrue jetë ka nja-dy vjet, u kanë e shtirë, po ky u kanë vullneti i Perenisë, faleminderit qe tash e kam çikën e nipat e mesat si asht ma mirë, bile as që ka kun ma mirë se unë”.
Me plot dashni në sytë e saj, ajo përfundon trgimin e saj: “Kurgja s’um ka metë marak për ketë jetë, ni herë thojshum m’u pasë shlirue pi shkavit ma shum s’dojmë; qe, shyqyr pi Allahit, u shlirum pi tyne, kurgja s’um jet marak ma shum krejt shka kam dashtë në jetë i kam pasë edhe tash kejt i kam sen nuk um mungon, s’ka kun ma mirë se une. Juve po ju porositi lutnju ma shum Perenisë edhe kryni detyrimet ndaj Allahit sa nuk u ba vonë”.
Me këtë e perfundoi rrëfimin e saj halla Refiqe. E pershendetëm duke i dëshiruar jetë të gjatë e t’lumtun, siç edhe e kishte. (Gjilan, shkurt 2019)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.


