“As shkolla e as zanati pa punë s’vyen sen…”

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Rizad Xhemaili (20 maj 1920) nga Muhovci (në disa dokumente më 1918), është njëri nga këto personazhe. Ai vetë thotë se ka lindur më herët: “E maj men mirë kur ka hi Serbia më 1918 i kam pasë dikun nja 4 vjet. Realisht është i lindur në vitin 1914.

Mixha Rizad tani, në moshën 104 vjeçare, jeton mes Muhovcit dhe Gjilanit, pasi që familja e tij është e shpërndarë në tri komuna: Gjilan, Kamenicë dhe Prishtinë.

Siç thotë një fjalë popullore: “Mixha Rizad i ka qit puntë n’dyzen”. Familjarët kujdesen për të, gjë që është për t’u lakmuar. Edhe gjendjen fizike dhe kujtesën i ka për lakmi.

Në pyetjen se ku fshihet sekreti i jetëgjatësisë së tij ai thotë: “Kam pas orar për gjithshka, si për ushqim, punë, po edhe për pushim. Ushqimin s’e kam përzi shum kurrë, jam rujtë mos me hangër pa masë edhe gjithshka, po besa jam rujtë edhe në punë, kam punue me ren e me ven, jo me siklet e pa kontrollë”.

Mixha Rizad është një enciklopedi e vërtetë, është në gjendje të tregonte ndodhi interesante sa të duash, vetëm duhej pyetur dhe pasur durim ta dëgjosh. Ai tregon shumë ngjarje nga jeta e tij, por që ngjarje të tilla kanë përjetuar edhe gjithë shqiptarët e këtyre trojeve.

E veçon një ngjarje të vitit 1934: “Isha tue i rujtë gjanë në fushat e Muhovcit-rrafshina, nja tre milicë t’Serbisë kalun atypari me nxitim; njani u da edhe ardh e m’i ka mshue nja tri shuplaka pa ba kurgja.

Njani e veti: “Pse bre ja mshove, shka t’bani ?” Ky ja kthej: “U vra krali (at vit ishte vra krali i Serbisë në Marsej të Francë), për qato pi ja mshoj”.

Një tregim tjetër mjaft interesant ishte kur me babgjyshin Xhemail e kishin shoqëruar Gjon Sereçin (nga konaku i babgjyshit) nga Muhovci deri në rekë të Desivojcës:

“Babgjyshi, mixha Xhemail um ka dashtë shum, jena kanë boll fmi po se di mu um ka dashtë mas’shumti. Ni ditë um tha: “Hajde me babën me kali e pëcjellum Gjonin deri në rekë të Desivojces”.

Pra, une menjëherë për dore me babgjyshin a Gjoni i hypi kalit edhe u nisum. Gjonin e kishin veshë me do tesha të kqija edhe me një ferexhe mos m’u diktue. E çum deri në Desivojcë, u ba bashkë me ata që e pritshin, une bashkë me babën (babë i kam thanë babëgjyshit) u kthym për shpi. Kurrë se harroj ketë ngjarje um kujtohet si sot”.

Mixha Rizad kishte edhe një histori interesante: “Une me zanat jam metal punues edhe në at kohë u dashke me dhanë një provim për me marë ni diplomë që me mujt me punue. Une shkova në Vrajë se aty u dashke me dhanë provimin; kisha do probleme me moshën, po u rregullun edhe une hina në provim.

Ma së pari u dashke me hi në provim me punue nji punëdore, m’thanë: A p’i maron do gërshan. Normal që pranova edhe i marova qaq mirë që ata m’i moren me jav çue nëpër shkolla me ju kallxue sa mirë i kisha punue, edhe um kalun n’at pjesë të provimit.

Në provim në teori ma banë ni pytje: “Çka asht nacionalna manjina?” (çka është pakica kombëtare).

Me ju thanë të drejtën mue um vike inati m’i thanë na shiptart jena, po ju thashë: po asht dishka e vogël, dishka ma pak se shum, u munova dyqysh me jav përzi. Po ata insistonin se si duket e kuptun që une p’e di.

Une prapë qashtu u munova me jav përzi, po ata um thanë nuk ki kalue t’kena urrxue, munesh me shkue. Une dola edhe shkova e zuna ni avokat e ai ma mundsoi me hi apet mas ni jave, edhe në herën e dytë e kalova.

Po edhe ktu ke dishka interesant se për punë dore um thanë me marue një trekandësh për ujë sjellsa, une e kisha gati nja te shpija se i kisha dy të porsitun, bile për njanin s’kisha veç edhe nja katër orë punë m’e kry. Kur i veta ata për sa kohë duhet me përfundue ata um thanë: “Për pesë ditë”.

Une u pajtova se e kisha gati. Kur e kryta punën e mora edhe e çova, kur e panë njani pi komisionit m’u pik me ja shitë, une i thojsha jo, ai insistojke me ja shitë, thojke:

“E mar me veti në shkollë edhe ju tregoj nxansave edhe profesorve qysh duhet me punu”, po une nuk ja shita.

Ata um kalun edhe e mora diplomen, ja nisa punës, po ja nisen qert m’u ankue se po naj merr Rizadi punën, po erdh ni ispektor edhe um th: “Ti veç puno hiç mos u nal se kush s’ka shka me t’ba”; edhe une nuk e kam nalë kurrë punën pi atëherit”.

I nxitur nga kureshtja për të ditur mendimin e Mixhës Rizad reth shkollimit dhe zanatit ai tha; “Për shkollën s’kam shka me thanë, njeri pa shkollë asht si shipja pa dritare, shkolla asht gjithshka edhe ju kta e dini ma mirë se une.

Sa i përket zanatit, edhe pa ta s’ban; zanatet janë të domosdoshme se ka punë që shkollovanat s’i krynë, duhet m’i kry zanatlitë.

Zanati e ka nji punë që duhet m’e të livdue poplli se punën e ban për popull; duhet me punue pa hile, se si të bojsh hile, e hup myshterin e pa ta s’ka zanat. N’zanat je vetë shef, vetë komandon edhe e ki punën n’dorë tane.

Puna duhet m’u ba me nerë edhe pa hile. Une s’kam ba kurrë hile në punën teme, po um kanë dashtë kejt, kanë ardhë pi kahmasit te une me punu”.

Për fund Mixha Rizad shton: “As shkolla e as zanati pa punë s’t’vynë sen, duhet me punue për te dyjat me nerë edhe pa hile”. (Gjilan, 27 janar 2018) /Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.