Qeveria i shpall organizata terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”
Qeveria e Kosovës i ka shpall sot organizata terroriste grupet “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Pro këtij vendimi nuk votoi vetëm ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i cili gjatë diskutimit të kësaj pike tha se ky vendim mund të krijojë më shumë ndarje.
“Sovraniteti kurrë nuk ka qenë i diskutueshëm për mua as për shumicën e qytetarëve atje. Por, kuptoni që në veri ekziston vakumi qe 23-24 vjet. Është më komplekse dhe më e vështirë të gjendet një bashkëbisedues në veri të vendit. Ne nuk i japim alternativa në zgjatjen e proceseve normale, por shpesh po e shfaqim vetëm shkopinj”, tha Rashiq.
Për “vakumin dhe shkopinjtë” u përgjigj zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Problemi është që vakumi mbushet nga dikush, fatkeqësisht ky vakum është mbushur nga struktura kriminale, të cilat kanë kryer vepra kriminale në Veri. Brenga e dytë: Unë mendoj që ne jemi përpjekur bashkë me ju të ndërhymë edhe me mjete financiare që qytetarët të shohin sa më shumë përfitime nga hapat që ndërmerr Qeveria. Për grupet kriminale nuk mund të ketë karota. Grupi kriminal nuk duhet me i ndje karotat nga ana e shtetit, ndërsa qytetarët e zakonshëm duhet t’i shohin si karota veprimet e Qeverisë së Kosovës që u zbut kërcënimet dhe aktet e dhunës, tha Bislimi, duke shtuar se çdo shtet e ka për obligim t’i mbrojë qytetarët e zakonshëm.
Rashiq pati edhe paqartësi të tjera se kush do të preket nga ky vendim.
“Besomëni që ky mundet me qenë gabim, i cili do të na ndajë edhe më shumë dhe do të kapërcejmë atë vijën që s’do të mund ta menaxhojmë, por situata do të na menaxhojë neve”.
Përgjigjen për këtë e dha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili shpjegoi se kush do të përndiqet nga drejtësia nga këto organizata terroriste.
“Ky vendim nuk prek askënd, i cili deri në momentin e shpalljes organizatë terroriste kanë qenë pjesëtarë të këtyre dy organizatave e nuk kanë kryer vepra penale tashmë. Nuk vihen në rrezik pjesëtarët që janë integruar apo amnistuar më herët. Cilido që është pjesë e këtyre organizatave është subjekt i hetimit, përndjekjes së organeve të drejtësisë. Janë organet adekuate që bëjnë vlerësimet e nevojshme që pastaj për secilin akt të secilit pjesëmarrës të këtyre organizatave”.

