Tetë mjekë e infermierë në Prizren dolën pozitivë me COVID-19
Tetë mjekë e infermierë të Spitalit Rajonal të Prizrenit mbrëmë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19. Ata janë raste kontakti të infermieres, e cila doli pozitive para dy ditësh. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.
Shehu i ka thënë Gazetës Express se nga rastet e konfirmuara mbrëmë, tetë prej të infektuarve janë punëtorë shëndetësor të Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe një rast është familjar i infermieres, që rezultoi pozitive para dy ditësh.
“Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja me koronavirus në Prizren. Tetë prej të infektuarve janë nga Spitali Rajonal i Prizrenit dhe vetëm një është familjar. Në mesin e të infektuarve nga Spitali i Prizrenit janë mjekë e infermierë, sa kam informacione nga reparti i dializës”, ka thënë Shehu.
I pari i shëndetësisë në këtë komunë ka deklaruar se sot pritet të bëhet testimi i së paku 34 personave, që kanë pasur kontakt me të infektuarit. /Mediafokus.info/

