Lutfi Haziri: Qeveria Kurti mori vendimin më të turpshëm për mbylljen e Klan Kosovës

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vendimin e MINT për mbylljen e Klan Kosovës e ka cilësuar si vendim të turpshëm.

Postimi i plotë:

Albin Kurti i ‘ndryshimeve’ vërtet po e ndryshon vendin, por për të keq. Qeveria Kurti sot mori vendimin më të turpshëm në historinë e Kosovës së pasluftës për ta mbyllur njërin prej televizioneve më të mëdha e më profesionale në vend, Klan Kosova.

Ky vendim, përpos që përkthehet si sulm direkt ndaj lirisë së shprehjes e përpjekje e ulët për t’i disiplinuar gazetarët, ia qet hijen e zezë Kosovës në botë. Kosovarët janë popull evropian, por fatkeqësia më e madhe është se kanë qeverisje aziatike.

Në mbështetje të Klan Kosovës dhe secilit medium të lirë e të pavarur të Kosovës. Mediat kanë gjithmonë të drejtë. Kot e keni.

Po e riktheksoj se dikush ka vdekur për këtë Republikë, për këtë Liri e për këtë Demokraci, që i ndërtuam me shumë mund e sakrifica, personale e familjare. Dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës. Shtrohet pyetja, çka do të lini ju pas, kush feston për një ngjarje tuajen dhe para kujt me dërgu lule?!