Ferizaj nderon doktorin me origjinë nga Gjilani, Sami Spahiu – një rruge ia vendos emrin e tij
Një rrugë e qytetit të Ferizajt do ta mbajë tash e tutje emrin e mjekut Sami Spahiu, i cili vdiç më 2017. Vendimi për emërtim ishte marrë nga kuvendarët e qytetit, në vitin 2022.
Djali i tij, doktor Petrit Spahiu dhe nëna e tij, Magbule Aliu Spahiu, janë parë sot të lumtur teksa janë fotografuar para pllakës me emrin “Sami Spahiu”.
Sami Spahiu ka qenë një nga mjekët më të njohur të Ferizajt.
Sot, djali i tij, Petriti, i cili e ndjek rrugën e babait, duke specializuar në fushën e kirurgjisë plastike ka vendosur dy zemra mbi fotografinë që ka shpërndarë në rrjetin e tij social, për të treguar sa krenarë janë me veprat që ka lënë pas doktor Spahiu.
Nderimi për Spahiun ka ardhur pas kontributit që ai ka dhënë për qytetin, një humanisit që e kanë njohur të gjithë, dhe një profesionist të pashoq.
Për të, fjalë të mëdha kishte folur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, në mbledhjen komemorative kushtar veprimtari të shquar.
“Doktor Samiun e kemi njohur të gjithë, si një doktor të përkushtuar në profesionin e tij, si një profesor që mbahet mend nga secili nxënës i tij, si një qytetar të devotshëm dhe shembullor, por mbi të gjitha si një njeri pa cene, të edukuar dhe me një kulturë të lartë të fjalës, punës dhe respektit për të tjerët”, kishte thënē Aliu më 2017, para familjarëve, miqve, shokëve, dhe të afërmve të tij.
“Ai çdo herë ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij në të mirë të shoqërisë, komunitetit dhe tërë kombit. Po, natyrisht, nuk kishte si të ishte ndryshe një personalitet i tillë, i ndërtuar me tërë tiparet e një njeriu që tërë jetën ia kushtoi çështjes humane dhe kombëtare.
Nuk kishte si ti mungonte ky njeri i madh kauzës sonë për lirinë e atdheut. Ai edhe në momentet më të vështira që kaluam si popull, u gjend krah ushtarëve të lirisë, duke dhënë kontributin e tij human dhe patriotik në luftë kundër pushtuesit. Ai e vazhdoi këtë kauzë edhe pas çlirimit, por tani në ndërtimin e sistemit shëndetësor, për t’iu shërbyer qytetarëve, tashmë në liri…”
Familja e doktor Sami Spahiut është me origjinë nga fshati Kishnapole i komunës së Gjilanit./Mediafokus.info

