DASH: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.
Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Sulmuesit e dyshuar – që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30 – u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.
Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.
Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.
Më 27 shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.
Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin në veri.
Radoiçiq – që është nën sanksione amerikane – sipas presidentit serb do të merret në pyetje nga organet kompetente serbe. /REL

