Drita elektrike kisha parë vetëm tek dajat e gjyshit që jetonin në qytet

Sabedin Sherifi

Një herë e një kohë para shumë e shumë viteve ishim lagjja e parë që kishim elektrifikim në malësinë e Zhegocit.

Unë drita elektrike kisha parë vetëm tek dajat e gjyshit që jetonin prej kohësh në qytet.

Daja Rifat dhe Zeqë Hasani ishin familje qytetare me një kulturë më ndryshe nga të tjerët.

Ata në qytet dalloheshin nga shumë gjëra si nga veshja karakteristike por edhe nga gjuha e pastër shqipe.

E folmja e tyre ishte më e veçantë sepse, toskërisht e te ne këtë dialekt nuk e kishin përvetësuar as mësimdhënësit e gjuhëtarët.

Nëpër takime e ndeja Axha Rifat njihej për oratorin dhe pasurin e tij shpirtërore kombëtare. Kur ai fliste oda apo ndeja mysafirët e dëgjonin me endje.

Ai ishte histori në vete. Kishte lindur në Lushnjë dhe pas vdekjes se babait kishe marrë si trashëgimi bajrakun.

Të jesh bajraktar ishte një titull dhe përgjegjësi e madhe.

Bajraktari kishte të drejtë i vetëm të mbante flamur kombëtar dhe ta ekspozonte në ditë të caktuara.

Siç tregonte ai, sipas rregullit të kohës, flamuri nuk është bartur në dasma, por është bartur bajraku i cili kishte qenë nga basmat e pajës së nusërisë.

Flamuri në kohën e Mbretit Zog ishte i mbrojtur me ligj dhe se kur flamuri ekspozohej në festa ai mbrohej nga një roje aty me armë.

Rifati në ndeja pas luftës së dytë botërore u tregonte të moshuarve se gjat punës së tij tek një investitor italian në Durrës kishte parë një televizor.

Ai mundohej të ua shpjegonte për formën e tij dhe funksionon që kryente televizori ama të moshuarit e shikonin me shumë pabesi disa disa i thoshin leri këto përralla si në shaka.

Por Rifati nuk dorëzohej por u thoshte se do vjen një ditë ndoshta ju se pritni por fëmijët e juaj po se po … parashikimi i tij nuk ishte i largët.

Unë e mbaj mend si fëmijë 5-6 vjeç kur nga Gjermania erdhi televizori i parë në lagjen tonë.

Baci Muharrem kishte sjellë nga atje ku punonte një tv të vogël, me dimensione 20×15 cm, ndoshta ishte edhe më i vogël ekrani.

Tv tjetër, pak më vonë, kishte baci Shaban. Ky ishte po ashtu bardh e zi por dimension më i madh.

Filmin e parë “Kur pranvera vonohet” aty kisha parë së bashku me Mustafën e xhaxhit tim.

Ne televizor siguruam më vonë. Jo vonë, po tepër vonë. Axha im, Smali që tashmë jetonte në shtëpinë e tij, kishte blerë një të përdorur me një antenë mbi dy metra të madhe.

Ne kishim vetëm radion Filips që dëgjonim këngën për fëmijë: Qengji vogël bën be be be.

Axha im antenën e televizorit e vendoste në një shtyllë të lartë druri dhe atë duhej sjellë me shumë kujdes. Kishim dy stacione emetimi atë në Strazhë dhe antenën tjetër në Golesh.

Më së vështiri ishte kur ishte moti me erë pasi që lëvizte antenën dhe humbte sinjali.

Por shpesh me axhën tim provonim televizionin e Tiranës. Sa vështirë ishte të kapjen e sinjalit.

Këtë sinjal mund të kapnim vetëm kur ishte shpejtësia e erës zero, e kjo tek ne në bjeshkë ishte e rrallë pasi që era frynte rregullisht.

Të shikosh televizionin e Tiranës ishte e ndaluar e axha më thoshte: Asnjë fjalë me me askënd! Unë vetëm e pohoja me kokë.

E di sa të gjithë provonin në lagjen time për të kapur sinjalin por ishte e pamundur. Thoshin se Jugosllavia ka vendosur anti-valë, e çfarë kuptonim ne si fëmijë.

Dikur të kesh tv në shtëpi ishte si të kesh një bibliotekë. Por për ne si fëmijë fshati ishte problem mungesa e kohës për të shikuar atë.

Fëmijët dikur punonin në gjitha fushat bashkë me familjen sidomos verës, shikimi i tv ishte luks.

Duke ecur nëpër kohë, në ditët e sotme tv është bërë demode dhe shpesh aspak i rëndësishëm. Thjesht shumë familje e kanë vetëm si dekor.

Dikur e dija përmendësh gjithë skemen programore të televizionit të Prishtinës e sot nuk di kur kam shikuar një emision të plotë. Dikur kishte vlera në skenën programore.

Digjitalizimi ka mbërritur në dorën e çdo individi dhe i jep mundësi secilit të lexojë e shikojë çfarë dëshiron, por unë kam frikë se vlerat tona po humbasin ose po vdesin në këtë llumin mediatik.