Një muaj nga vrasja e Liridona Ademajt/ Vëllai i saj: Do të vazhdojmë të avokojmë për drejtësi
Dje janë bërë një muaj që nga vrasja e Liridona Ademajt.
E sonte, vëllai i saj Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët, siç tha ai, që janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e rastit.
Ai gjithashtu u shpreh se do të vazhdojnë të punojë në zbardhjen e drejtësisë për Liridonën.
“Ka kaluar një muaj që kur se është vrarë Liridona jonë. Kishim shumë plane bashkë. Këto ditë i gjetem në shtëpi ballonat që i pati ble me ia festu djalit ditëlindjen. Do t’i ruajmë ashtu siç e ruajmë çdo kujtim. Viti 2023 do të mbetet për ne vit i kobshëm që na e mori Liridonën dhe vetëm shpresa për drejtësi po na mban gjallë”.
“Duam t’i falenderojmë të gjithë mediat, shoqërinë civile, hetuesit, prokurorët që janë duke kontribuar në informim dhe në zbardhjen e këtij krimi. Ka pasur raste kur jemi lënduar rëndë nga diskutimet dhe raportimet që janë bërë rreth rastit, me informacione të pasakta. Ne shpresojmë që rastet e Liridonës dhe grave tjera të vrara të trajtohen me ndjeshmëri dhe kujdes më të madh. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për drejtësi për Liridonën”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, në mesin e tyre edhe bashkëshortin që dyshohet se e pagoi vrasjen e saj.
Vrasja e Liridonës ndodhi më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Naim Murseli u arrestua nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.
E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.
Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.
Tre të dyshuarve Gjykata ua ka vazhduar dje edhe nga dy muaj paraburgim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Sinjali/

