Denoncohet djali i kryetarit të Lipjanit Imri Ahmetit, dyshohet se kërcënoi punëtorët në “KRU Prishtina”
I biri i kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmetit, Qëndrim Ahmeti, i cili ushtron pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Menaxherit të Administratës në Kompaninë Regjionale të Ujësjellësit “Prishtina” është denoncuar për kërcënim e shantazh, për sjellje jo-profesionale e për shumë parregullsi të tjera brenda kompanisë.
Qëndrim Ahmeti është denoncuar se është i përfshirë në punësime të shumta të dyshimta brenda kompanisë dhe për përndjekje të punëtorëve, e madje, sipas informacioneve që ka pranuar Paparaci, Ahmeti dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vjedhjen e 3800 litrave naftë.
Gjithashtu, Ahmeti dyshohet se qëndron prapa shkarkimit të Drejtorit Teknik, Sokol Xhafa të mërkurën. Por, çfarë e bën më dramatike këtë situatë është një ankesë e protokolluar tashmë në “KRU Prishtina” për të nga Astrit Raçi, i cili kishte qenë Sigurim Fizik e më pas edhe Ndihmës Teknik, shkruan Paparaci.com.
Raçi, një arkitekt i diplomuar i cili kishte punuar në pozita për të cilat është i mbikualifikuar në një ankesë drejtuar organeve të KRU Prishtina ka thënë se është kërcënuar dhe shantazhuar nga Qëndrim Ahmeti.
Siç rrëfehet në këtë ankesë, më datë 11/10/2023 në ndërrimin e natës, Astrit Raçi ishte së bashku me dy kolegët e tij, Skender Dervishaj dhe Berat Sahiri kur rreth orës 19:30 në kampusin e KRU Prishtina kishte hyrë një veturë e tipit Audi A6 brenda së cilës ishte Qëndrim Ahmeti, i shoqëruar nga Amir Zeneli.
Raçi në ankesën e tij thotë se Ahmeti kishte qenë “I armatosur” jashtë orarit të tij të punës në kampusin e KRU Prishtina, ndërsa rrëfen se rastin e kishin evidentuar në fletoren e punës së sigurimit fizik që gjendet tek porta për hyrje-daljen e tij.

Por, gjërat tutje vetëm sa u bënë më të vështira për punëtorin Raçi i cili 7 muaj më parë kishte pësuar një aksident të rëndë e që ia ka kufizuar aftësinë e lëvizjes. Më datë 24.11.2023, Raçi ishte ftuar në zyrën e Qëndrim Ahmetit ku në zyrë ishin edhe shefi i sigurimit, Naim Azemi dhe punëtori Gëzim Dushkolli.
Aty, Raçi denoncon se është thirrur me emra si “gangster” dhe “kapadai” nga Ahmeti, ndërsa shprehet se edhe pasi i kishte kërkuar të ketë kujdes me gjuhën, i njëjti kishte vazhduar në ofendime e me sjellje të njëjta.
Pas kësaj, pason largimi nga kampusi qendror i Drejtorisë së KRU Prishtina për Raçin dhe tre kolegë të tij. Skender Dervishaj, Arlind Bytyqi dhe Agim Halimaj për të cilët thotë se nuk kishte asnjë arsye e kriter përveç inateve personale.
Tutje, Ahmeti kishte ndërmarrë edhe veprime të tjera. Më datë 13.12.2023, siç thotë ankesa, ai kishte marrë vendim që ta kthejë në pozitën e sigurimit fizik Raçin me arsyetimin se pozita nuk është e paraparë me rregulloren e organizimit të brendshëm.
Ai thotë se nga kjo lëvizje është dëmtuar edhe financiarisht, ndërsa shprehet se nuk është personi i vetëm që është i punësuar në këtë pozitë në Administratë.

Më datë 28.02.2023, Raçi kishte pësuar një aksident ku kishte pësuar lëndime të rënda, ndërsa qëndrimi i gjatë në këmbë thotë se po ia rëndon shëndetin.
Ai rrëfen se pas aksidentit i ishte drejtuar kryeshefit me kërkesë për ndërrimin e vendeve të punës për shkak të problemeve në përmbushjen e detyrave të punës dhe pasi është i mbikualifikuar, pret për mirëkuptim nga kryeshefi Arsim Fetahu. /Paparaci.com/


