“Pafytyrësia e qeverisë që dështimet i paraqet si suksese”: Haradinaj i kundërpërgjigjet mburrjes së Kurtit

Mbrëmë doli me një shkrim Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me të arriturat e qeverisë me nisjen e vitit 2024, por Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj iu kundërpërgjigj përmes një statusi duke shkruar se vendi “nuk mbahet mend” të ketë pasur “vit më të humbur se sa 2023”.

“Regres ne pozicionin ndërkombëtar të Kosovës; sanksione e ndëshkime nga aleatët strategjikë; asnjë njohje, asnjë investim i huaj; disfatizëm në raport me Serbinë e rrezikim i pavarësisë së vitit 2008; rritje enorme e çmimeve në artikujt elementarë, në energji, në tatime, në artikuj bazë ushqimor; dështim në investime e në zhvillim ekonomik; në arsim e në shëndetësi; me pagat më të ulëta në rajon; me afera të pazbardhura korruptive me rezervat shtetërore e tregtimin e energjisë; me luftë të paskrupullt ndaj gjyqësorit, me largimin masiv të rinisë nga vendi, e kështu me radhë”, shkroi Ramush Haradinaj.

“Natyrisht edhe me pafytyrësinë e qeverisë që të gjitha këto dështime t’i paraqes si suksese. Të gjitha këto dështime nuk mund të kalojnë pa ndëshkim. Prandaj sot, më shumë se kurrë kërkohet unitet e mobilizim që të ndalet rënia e shoqërisë dhe e shtetit”, ka përfunduar ai.