Për herë të parë në QKUK kryhet procedura e kateterizimit në zemër te një fëmijë
Për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është kryer procedura e kateterizimit në zemër te një fëmijë i moshës 14-vjeçare.
Përmes një komunikate për media, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka bërë me dije se procedura është kryer nga mjekët e Klinikës së Pediatrisë në bashkëpunim me ata të Kardiologjisë.
“Fëmija L.S. ishte diagnostikuar me hipertension arterial të ngritur dhe është bërë ekzaminimi invaziv hemodinamik, me qëllim të zbulimit të ndonjë ngushtimi të arterieve. Ekzaminimi invaziv është kryer ne sallën e Hemodinamikës të Klinikës së Kardiologjisë”, thuhet në komunikatë.
Ekzaminimi është kryer vetëm nga stafi vendor shëndetësor dhe procedura ka kaluar pa komplikime.
Fëmija pas procedurës është transferuar në Klinikën e Pediatrisë.

