Kurti i bën ofertë opozitës: Shkojmë në zgjedhje, kur të doni ua bëjmë numrat

Kryeministri i i Kosovës, Albin Kurti, i ka ofruar opozitës në Kuvend ndihmën e partisë së tij për t’i bërë numrat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kurti, duke sfiduar subjektet opozitare që të dërgojnë vendin në zgjedhje, ka thënë se opozita duhet ta thotë fjalën e vet.

“Unë nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Për shkuarje në zgjedhje duhen 2/3 e votave dhe nuk ka mënyrë tjetër sipas aktvendimit të Kushtetueses”, tha Kurti për RTK.

I pari i Qeverisë i ka bërë ftesë opozitës që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Ata numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve. Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, ka deklaruar ndër të tjera Kurti.