Asnjë aplikim për dy pozitat e shpallura në QKMF, flet drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në kreyqytet, Izet Sadiku, është deklaruar në lidhje me një konkurs që është shpallur në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic’, Sadiku komentoi për konkursin e dy pozitave të hapura, ku kërkohej një biokimist dhe një radiolog, atje ku sipas tij, nuk ka pasur interesim nga specialistët e këtyre fushave për një punë të tillë.
Sipas drejtorit Sadiku, paga dhe kushtet financiare nuk janë aq tërheqëse në sekotrin publik, ashtu siç janë në sektorin privat dhe kjo ka ndikuar shumë në këtë drejtim.
“Sektori privat është i zhvilluar shumë në këto dy fusha. Duke pasur parasysh se ka mjaft laboratore dhe secila prej tyre duhet të ketë një biokimist, poashtu pagat janë më të mira, andaj mendoj që kjo ka ndikuar në këtë drejtim. Gjithashtu, kemi shumë klinika që kanë departamente radiologjike dhe që kanë nevojë për radiolog, pra kjo mendoj që është arsyeja se pse nuk ka pasur interes për këto pozita, për pozitën e biokimistit dhe radiologut”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai tha se konkursi është mbyllur dhe se janë duke analizuar kushtet dhe mundësitë për herën tjetër, mënyrën se si do të hapen dhe për numri e atyre që do të specializojnë në të ardhmen, duke pasuar sa më shumë pozita të tilla për Prishtinën.
“Konkursi është mbyllur, tash jemi duke menduar që kur të hapet herën tjetër a do t’i bëjmë këto dy pozita. Njëkohësisht do të flasim me ministin që kur të hapet specializimi me pas sa më shumë pozita të tilla për Prishtinën“, shtoi ai.
Krejt në fund, ai tha se nuk ka numër të ri të mjekëve në Prishtinë, por duhet të shikojnë se sa prej tyre do të dalin në pension, pastaj të shpallin konkurs.“Ne kemi një kërkesë tash kemi dy vende të lira, janë shpallur dy pozita për specializim dhe do të kërkojmë nga mjeket tanë që janë të punësuar në Qendrën kryesore të Mjekësisë Familjare për të aplikuar që të fitojnë të drejtën në këto dy fusha.
“Në Prishtinë nuk kemi numër të ri të mjekëve, ne i kemi vetëm numrin e atyre që dalin në pension. Ne duhet të shikojmë se sa mjekë na dalin në pension dhe pastaj duhet të hapin konkurs për numrin e atyre që dalin, sepse nuk kemi numra të ri që na janë dhanë nga Ministria. Ata e dijnë se numri i banorëve është më i lartë sesa numri i mjekëve që kemi në dispozicion”, përfundoi ai.

