DASH për hapjen e urën: Nuk hezitojmë të bëjmë gjithçka që personeli amerikan të jetë i mbrojtur
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me planin e saj për hapjen e Urës së Ibrit pasi kjo i vë në rrezik ushtarët amerikanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
Porosinë e ka përcjellë Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Jeff Hovenier.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka shtuar ai.
Kjo çështje është ngritur edhe gjatë brifingut me gazetarë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Zëdhënësi Vedant Patel ka thënë se Uashingtoni do të bëjë gjithçka që është e mundur që personeli amerikan të jetë i sigurt.
“Më lejoni të them vetëm se ne sigurisht nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që nevojitet për të mbajtur – për t’u siguruar që personeli amerikan dhe njerëzit tanë janë të mbrojtur”, ka thënë Patel.
Kundër hapjes së “njëanshme” të urës ka paralajmëruar edhe KFOR-i të cilët kanë thënë se s’do të hezitojnë të veprojnë në rast të tensioneve.

