Rexha e Kusari: Gjykata Kushtetuese, shpresa e fundit që Ligji për KPM-në të rrëzohet

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe juristja e medies, Flutura Kusari, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, komentet për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se Kushtetuesja është shpresa e fundit që ky ligj të rrëzohet në tërësi, raporton Nacionale. “Sot kemi dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, komentet sa i përket kontestimit të Ligjit të KPM-së të miratuar nga Kuvendi. E falënderojmë që ka kërkuar komente nga AGK-ja si palë e interesuar. Na ka dhënë hapësirën e duhur për të kthyer komentet. Flutura Kusari e ka ndihmuar AGK-në të përgatisë komentet për Gjykatën Kushtetuese. Kjo që ka ndodhur, e diskutimi që do të ndodh është i një rëndësie historike, për shkak se për herë të parë do të merret vendim për ligjin e lirisë së medies, por besojmë që edhe komentet tona, edhe të palëve të tjera, do ta bindin Gjykatën që ligji është antikushtetues. Vet inicimi i tij, mënyra si është hartuar, është në Kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Është shpresa jonë që do të ketë reflektim të Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji nuk do të hyjë në fuqi”, tha Rexha.

E juristja e medies, Flutura Kusari, deklaroi se në komentet e tyre janë fokusuar te nenet për pavarësinë e medieve dhe barazinë gjinore. Sipas saj, aktgjykimi i Kushtetueses, do të jetë precedent për qëndrimin e kësaj gjykate ndaj lirisë së medies. “Ne dorëzuam komentet përmes së cilave ne argumentojmë duke theksuar se procedura si është bërë ligji bie ndesh me disa nene të Kushtetutës, bie ndesh me parimin e barazisë ligjore, lirinë e medies dhe pavarësinë e KPM-së. Kemi argumentuar se disa prej nene të shfuqizohen, mirëpo nëse këto nene shfuqizohen, ligji nuk mund të mbijetojë. Shpresojmë që ligji të shfrytëzohet në tërësi. Përtej ndikimit që ka ligji në rregullimin e medieve, për neve është ngjarje historike sepse është hera e parë që Gjykata Kushtetuese ka të bëj me lirinë e medies, dhe aktgjykimi do t’i paraprijë praktikës sa i përket lirisë së medies. Ne kemi konsideratë të lartë për Gjykatën Kushtetuese, dhe shpresojmë që argumentet tonë ta bindin Gjykatën”, tha Flutura Kusari.