Sot u jepet lamtumira e fundit katër anëtarëve të familjes Arsllani
Maqedonia e Veriut u trondit të enjten nga aksidenti tragjik afër Shkupit, ku një veturë në të cilën ndodheshin pesë persona, doli nga rruga dhe ra në lumin Vardar.
Katër persona humbën jetën si pasojë e këtij aksidenti, ndërsa shpëtoi fëmija i moshës 5-vjeçe.
Viktimat që u aksidentuan tragjikisht janë nga familja Arsllani, nga fshati Gërçeci i komunës së Sarajit në Maqedoni të Veriut.
Tri gra të familjës Arsllani, u nxorën të vdekura nga vetura e aksidentuar, mbrëmjen e 2 janarit, ndërsa 5-vjeçari gjatë rrokullisjes së veturës ka dalë nga vetura dhe atë e kanë gjetur disa kalimtarë të rastit.
Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Trupi i kryefamiljarit i cili ndodhej po ashtu në vëturën e aksidentuar u gjet të premten rreth orës 15:00.
Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Në njoftim po ashtu thuhet se do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës.
“Pavarësisht kushteve jashtëzakonisht të vështira në terrene të paarritshme, janë ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e gjurmëve dhe provave me qëllim përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Sipas informacioneve fillestare, automjeti drejtohej nga njëri prej të ndjerëve. Gjithashtu do të lëshohet urdhër për ekspertizën e makinës. Sipas udhëzimeve të prokurorit publik janë intervistuar dëshmitarët okularë të ngjarjes, si dhe familjarët e familjes në automjet për zbardhjen e të gjitha rrethanave”, thuhet në kumtesë e Prokurorisë Themelore.
Mediat në Maqedoni të Veriut raportuan se në veturë ishin kryefamiljari me gruan, vajzën, nusen e djalit dhe nipin.
Sipas tyre, nusja dhe nipi kishin ardhur për pushime nga Italia.
Viktimat pritet të varrosen sot, në fshatin Gërçec, ndërsa i mituri i vetëm i mbijetuar nga tragjedia raportohet se është kthyer në shtëpi, pranë familjarëve të tjerë.

