Alarm nga shqiptarët në SHBA: “Marrëdhëniet me SHBA në pikën e tyre më të ulët në këtë shekull”
Martin Vulaj, drejtori i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, dhe një nga liderët më të spikatur të komunitetit shqiptar në Amerikë, në një intervistë ekskluzive për Express, shprehet i “tronditur” me nivelin e marrëdhënieve në mes administratës amerikane dhe qeverisë së Kosovës. Ai pohon se SHBA-të presin urgjentisht që Kosova “ta ndryshojë kursin” e përplasjeve me administratën amerikane.
Vulaj ka folur për rrugën negative të përzgjedhur nga qeveria Kurti në marrëdhëniet me ish -Presidentin Biden: “Në mënyrë tronditëse, në vend që të gjente një rrugë pragmatike për bashkëpunim, Kosova zgjodhi një rrugë sfiduese. Fyerjet dhe komentet nënçmuese drejtuar Ambasadorit Grenell—fillimisht të menduara si incidente të izoluara—vazhduan kundër Palmer, Chollet, Escobar, O’Brien dhe madje edhe kundër Sekretarit Blinken.”

