Prej sot ndryshon forma e testimit për patentë-shoferë, lehtësohet puna e kandidatëve
Testi me shkrim për patentë-shoferë mbetet një nga “fobitë” e kandidatëve që duan të pajisen me leje për vozitje në Kosovë, kjo pasi për shkak të pyetjeve shpesh jo të formuluara mirë e shpesh me opsione shumë të ngjashme me njëra tjetrën e që në disa raste iu duhet të zgjedhin edhe më shumë se një përgjigje të saktë.
Për ta lehtësuar këtë, Ministria e Infrastrukturës ka ndërmarrë procesin e ndryshimit të testimit duke duke ndryshuar formën e pyetjeve
Kjo Ministri në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se kjo formë e testimit do të hyj në fuqi nga data 18 shkurt, saktësisht sot.
“Është në proces të ndryshimit mënyra e testimit e cila krijon lehtësira për testimin e kandidatëve për të gjitha kategoritë rrit efikasitetin, cilësinë e vlerësimit të njohurive të kandidatëve dhe saktësinë në vlerësim të kandidatëve. Sipas planifikimeve kjo formë e testimit do të fillojmë me 18.02.2025”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas tyre, përveç ndryshimit të pyetjeve do të hyj në fuqi edhe doracaku zyrtar për të gjitha kategoritë.
Nëse ky ndryshim është bërë për të rritur kalueshmërinë, Ministria e Infrastrukturës e ka mohuar pasi sipas tyre është bërë vetëm për të krijuar lehtësira për testimin e kandidatëve.
Testimi i këtyre kandidatëve, sipas Ministrisë është lehtësuar edhe pas digjitalizimit apo e-testimit, shkruan lajmi.net.
Patentë-shoferët apo lejet për vozitje janë të detyrueshme për qytetarët në Kosovë, pasi që edhe veturat janë pothuajse opsioni kryesor i qarkullimit të tyre për punë apo çfarëdo nevoje tjetër.
Në Kosovë mungesa e metrove, mos-përdorimi i biçikletave si dhe kaosi që shkaktohet zakonisht brenda autobusëve ua pamundëson thuajse lëvizjen me ndonjë mjet tjetër transporti, përpos automjeteve.

