Po udhëtonte drejt Londrës, udhëtarja nga Shqipëria kapet me 124 boksa cigare në Aeroportin e Prishtinës
Një udhëtare femër shtetase e Shqipërisë është ndaluar këtë mëngjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për tentativë kontrabande të cigareve.
Ajo po udhëtonte për në Londër, dhe gjatë kontrollit të rregullt të sigurisë, autoritetet zbuluan një sasi të konsiderueshme cigare në çantën e saj të krahut dhe valixhen që kishte dorëzuar në check-in.
Gjatë hetimeve të mëtejshme, duke përfshirë edhe kontrollin e valixhes, rezultoi se ajo posedonte gjithsej 104 bokse cigare “Malboro e kaltër” dhe 20 bokse “Karelia Slims,” të gjitha me banderola të shtetit të Shqipërisë dhe të padeklaruara në Doganën e Kosovës.
Pakot e cigareve janë sekuestruar dhe rasti i është dorëzuar Doganës së Kosovës për veprime të mëtejme sipas procedurave të parapara ligjore.
“Institucionet e Kosovës vazhdojnë bashkëpunimin, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të kontrabandës së mallrave”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


