Gjilan, kosovari kapet duke kontrabanduar barna me veturën me targa serbe
Policia e Kosovës, në rrugën magjistrale Dheu i Bardhë në Gjilan, ka ndaluar një veturë me targa serbe, të cilën e drejtonte një kosovar, i cili bënte kontrabandimin e dy pakove me barna të ndryshme me banderola.
Policia ka njoftuar se i dyshuari ka pranuar se kishte edhe barna të tjera në Prishtinë, ku pas një kontrolli të mëtejshëm, në garazhin e tij u gjetën 169 artikuj barnash të ndryshme, me një vlerë të llogaritur rreth 30 mijë euro.
“Lidhur me rastin personi i dyshuar ka pranuar se ka edhe barna tjera në Prishtinë, me ç’rast njësia e TASKFORC-ës së bashku me Doganën e Kosovës dhe Hetimet Rajonale kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe në konsultim me prokurorin e shtetit është kryer kontrolli në garazhin e të dyshuarit ku janë gjetur: 169 artikuj barnash të ndryshme, vlera e tyre llogaritet të jetë rreth tridhjetë mijë (30) mijë euro pa llogaritur shmangiet doganore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Vetura dhe barnat janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.
Ndërkaq, me vendim të Prokurorit rasti është iniciuar si “Kontrabandë me mallra”.

