Sa më e madhe të jetë ëndrra, aq më i madh do të jetë suksesi

Elmaz Bajrami tani po e jeton vitin e 76-të të jetës, një moshë kjo jo shumë e shtyer për një shpirt sportiv, për një fizik të formuar e kalitur, për një njeri modest e mikëpritës.

Elmaz Bajrami, qysh nga mosha 16-vjeçare filloi karrierën e boksit (1961-1973), në kategorinë pendël në KB Jedinstvo të Gjilanit, më vonë në Partizan, që në vitin 1964 emërohet me emrin Drita.

Po ashtu, ai kreu edhe detyrën e trajnerit në vitin 1970, duke marrë licencat më të mëdha në ish Jugosllavi.

Me punë dhe përkushtim të madh, Elmaz Bajrami arriti që KB Partizani ta inkuadrojë në ligën e dytë të ish-Jugosllavisë, duke nxjerr[ boksier[ të njohur, siç janë: Ismet Haziri, Agim Latifi, Shemsi Kurtalani, Maksut Maloku, Nazim Halili, Jonuz Pajaziti, Afrim Halimi, Rexhep Jahiu, Mexhit Ramadani e shumë emra tjerë të mëdhenj.

Në vitin 1980, Elmaz Bajrami, në Kampionatin Ballkanik, i cili ishte mbajtur në Turqi, arriti të shënojë histori.

Në vitin 1984, udhëhoqi reprezentacionin e Jugosllavisë në Rusi, ku ishin pjesmarrës të gjitha shtetet komuniste nga mbarë bota.

Për Elmaz Bajramin thuhet se ka qenë i papërsëritshëm, ndërsa për selektorin e Jugosllavis në boks, Bruno Hartinski, Bajrami ka qenë enciklopedi e gjallë.

Ky njeri i madh, është edhe mekanik i mirë i veturave, i cili ka mirëmbajtur veturat e KFOR-it, UNMIK-ut, EULEX-it.

“Është knaqësi e veçantë të takosh 76-vjeçarin Elmaz Bajrami, njeriun i cili dha kontribut të çmueshëm në arenën sportive, një intelektual tipik, të veçantë, një njeri modest e shumë mikëpritës”, ka thënë nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, pas një takmi me legjendën e boksit, të cilin e ka vizituar për ditëlindje.

“Nga ai mësova se, nuk mund të vendosni limit në asgjë. Sa më shumë që ëndërroni, aq më larg arrini. Elmaz Bajrami do të jetë përherë emër i veçantë në qytetin tonë, nga i cili mund të marrim inspirim e frymëzim të pashoq”, ka shkruar Ismajli.

Ai ka një mesazh të veçantë: “Duajeni sportin, duajeni atdheun, kontribuoni për vendin tuaj kudo që jeni. Kjo tokë është e jona, e kemi larë shumë herë me gjak dhe duhet ta ruajmë si sytë e ballit, Republikën tonë”.

“Përgjithmonë do të jesh në zemrat tona, legjendë”, përfundon Ismajli./mediafokus.info