PDK: Një shok i Alban Hysenit po i kushton dhjetëra mijëra euro buxhetit të komunës së Gjilanit
Dega e PDK në Gjilan, ka reaguar ndaj ndarjes së granteve nga Komuna e Gjilanit, ku kanë përfituar edhe shokë të kryetarit, Alban Hyseni.
“Keqpërdorime të papara po ndodhin me buxhetin e qytetarëve të Gjilanit nga ana e kryetarit të komunës Alban Hyseni, i cili nuk ka të ndalur me punësimet e familjarëve dhe miqve të tij, si dhe me ndarjen e dhjetëra mijëra euro përmes granteve që po ua jep shokëve të tij”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Për këto dukuri rrënuese që janë bërë normale për kryetarin e komunës së Gjilanit, Partia Demokratike e Kosovës disa herë i ka paraqitur faktet në publik për të parandaluar që edhe më tutje vazhdojë ky keqpërdorim i buxhetit komunal.
Mirëpo i pari i Gjilanit vetëm sa po e rritë dozën e keqpërdorimeve të buxhetit, falë heshtjes së plotë të hetuesisë.
Taulant Maliqi është njëri nga shokët e kryetarit të Gjilanit, i cili në vitin 2023 jashtëligjshëm është punësuar përmes kontratave në vepër në Drejtorinë e Shërbimeve Publike.
Në vitin 2024 kryetari i Gjilanit i jep mijëra euro grant Taulant Maliqit nga buxheti i komunës për hapjen e biznesit tij.
Në vitin 2025 kryetari i komunës e viziton dhe e promovon grantin që ia ka dhënë shokut të tij.
Dyshohet dhe ka mjaft fakte se Taulant Maliqi është përfitues edhe përmes projekteve tjera që komuna e Gjilanit i jep përmes tenderëve për hartimin dhe mbikëqyrjen e projekteve milionëshe.
Vetëm për punësime të paligjshme të familjarëve, miqve të kryetarit dhe aktivistëve të VV-së, bashkë me grantet e dhëna në emër të bizneseve për shokë të tij, janë keqpërdorur nga kryetari i Gjilanit mbi 1.5 milion euro nga taksat dhe tatimet në pronë që i paguajnë qytetarët e tanë.
Në muajt e fundit të qeverisjes komunale, Alban Hysenit po i shtohen shokët përfitues, por e mira e kësaj është që qytetarët e Gjilanit po e braktisin çdo ditë e më shumë këtë kryetar keqpërdorues dhe dështues në çdo aspekt zhvillimor të komunës, përfundon reagimi.



