Uta Ibrahimi pushton 14 majat më të larta në botë – ajo është dëshmi e forcës së shpirtit kosovar

Uta (Flutura) Ibrahimi, kosovarja nga Gjilani e ka përmbyllur me sukses ngjitjen e 14 majave më të larta në botë.

Me suksesin në majën Kanchenjunga, njërën ndër më të rrezikshmet në Himalaje, Uta bëhet personi i parë nga Ballkani dhe gruaja e parë shqiptare që ngjitet në të gjitha 14 majat më të larta në botë.

Një arritje historike dhe frymëzuese, që e vendos atë mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë.

Forca, guximi dhe përkushtimi i saj janë shembull për të gjithë, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe për vajzat që ëndërrojnë lart.

Suksesin e Uta Ibrahimit, ministri Hajrullah Çeku e ka vlerësuar arritje historike dhe frymëzuese, mes alpinistëve më të mëdhenj botërorë.

“Uta Ibrahimi është gruaja e parë shqiptare dhe personi i parë në Ballkan që arrin diçka të tillë”, ka thënë Çeku.

Ajo është cilësuar krenari kombëtare edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

“Uta Ibrahimi ka shkruar histori, dhe me të, edhe emrin e Kosovës në majat më të larta të botës! 14 majat më të larta në botë, të gjitha të pushtuara nga guximi, qëndrueshmëria dhe zemra e një vajze nga Kosova. Kjo nuk është thjesht arritje sportive. Është një dëshmi e forcës së shpirtit kosovar”, ka shkruar Rama.