“Më thuaj zoti kryeministër, si fle rehat natën”, protesta në Izrael kundër Netanyahut
Familjet e robërve izraelitë të mbajtur në Gaza kanë intensifikuar kritikat e tyre ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mes protestave të mëdha në të gjithë vendin, pasi ofensiva e zgjeruar ushtarake tokësore dhe bombardimet vdekjeprurëse në territorin palestinez vënë në rrezik lirimin e të dashurve të tyre.
Së fundmi, protestuesit dolën në rrugë në Tel Aviv, me anëtarët e Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të të zhdukurve duke akuzuar qeverinë izraelite se i jepte përparësi luftës së saj mbi sigurimin e kthimit të të afërmve të tyre, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne kërkojmë që vendimmarrësit të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të mos e lënë atë derisa të arrihet një marrëveshje që do t’i kthejë të gjithë ata”, tha grupi në një deklaratë.
Në mesin e atyre që folën në tubim ishte Einav Zangauker, nëna e të burgosurit Matan Zangauker, e cila iu drejtua drejtpërdrejt Netanyahut: “Më thuaj, zoti kryeministër: Si shkon të flesh natën dhe si zgjohesh në mëngjes? Si e shikon veten në pasqyrë kur e di se po braktis pengjet?”
Bëhet e ditur se zemërimi në rritje mes familjeve është thelluar vetëm ditët e fundit pas emërimit nga Netanyahu të gjeneral-major David Zini si kreun e ardhshëm të Shin Bet, agjencisë së brendshme të inteligjencës izraelite.
Zini thuhet se ka shprehur kundërshtimin ndaj çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza, duke u thënë kolegëve gjatë takimeve ushtarake izraelite: “Unë kundërshtoj marrëveshjet e pengjeve. Kjo është një luftë e përjetshme”./telegrafi

