Mbreti i seancës, Avni Dehari me instruksione të partisë, s’e lejoi askënd të flas
Dështoi edhe “përpjekja” e 39 për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk i lejoi të flasin përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, kur u ftuan për t’i propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë.
Dehari kërkoi ndërprerjen e fjalës së tyre nga regjia, madje ai tha nga sigurimi.
“Vetëm propozim, keni ose nuk keni. Për debat nuk ka. Përndryshe sigurimi, regjia, duhet ta ndërpres menjëherë”.
Situata duket se nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të enjten pasdite, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin.
Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.
Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.
PDK-ja ka argumentuar të mërkurën se ky akgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LVV thonë se ai e lejon këtë mënyrë.
Përpjekja e partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta bërë votimin të fshehtë erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.