Asnjë qime floku nuk e kisha flijuar…për këtë vend!

Kimete Berisha

Një sakrificë qesharake!

– Asnjë fije floku nuk e kisha flijuar…për këtë vend!

– Ata meshkuj i mbjellin flokët: një qime – njëmijë euro;
ato femra i ngrijnë rrudhat e ballit me botox;
– marrin mbushje telefoni nga shteti për të rezervuar terminin te frizerka;
– marrin rroga për ta shkatërruar Kuvendin…

– e ti po bëhesh më i mençuri, po i qethë flokët e tua…
plus po i lë në tokë, e po pret të t’i fshijë dikush…duke të sharë.

– Për dashuri, po.
I kanë shitur femrat shqiptare gërshetat e gjata deri te gjunjtë…
për t’ia blerë burrit një traktor, ama tjetër budallallëk ka qenë ai…!
Budallallëk Romantik.
– Hahet.

– Është një varg i i dhimbshëm i një kënge popullore:
‘Mos më lë moj e pabesë, sa të jem gjallë e derisa të vdes – flok’të e kresë moj do t’i shes, se me ty unë kam lidhë besë’!

– Ky refren lë të kuptohet se ka mundësi që ky person që ka deklaruar se do t’i shes flokët (nëse e lyp puna), ka qenë mashkull…!

– Avokati kujton se ne po vuajmë kolektivisht për politikë…, tha se kemi rënë në depresion…të gjithë, përveç tij!

– Pra, ky as nuk e njeh realitetin….
shko ti në butiqe e shih se sa vuajnë shqiptarët…për Kuvend..

….Ai nuk e di se sot s’mund të gjesh termin të lirë te asnjë frizer se paniku estetik e ka fshirë përpara popullatën….

-….Pra, nuk ka indiferencë e depresion personal, por ka indiferencë ndaj politikës bajate me deputetë askushi, që nuk e kanë lexuar një libër në jetë e duken si karikatura të dala nga frizeri…
asi femra primitive, që as era nuk ua lëviz flokët e ngrira me llak. .

– Flokët e avokatit kanë qenë të bujshme, gjynah që i ka qethë për ideale të politikës ditore e s’i ka lënë për ndonjë flijim historik…
sepse jam e sigurtë se dy elefantë do të mund t’i ngrehte me to.

– Të kishin qenë edhe shatir…humbja do të ishte edhe më e madhe.

– Por për këtë sakrificë të thinjur nuk i thotë kush ‘FLM’, sepse nuk i hyn askujt në udhë, as nuk i dhimbset askujt.

– Nuk e merr seriozisht një mashkull që qethet…
Prej mashkullit pritet tjetër çka…

– Më paramendoni mua se si do të dukesha sikur t’i shkurtoja flokët e mia për protestë ndaj deputetëve analfabetë dhe hajnave të lagjeve luksoze….

– Si e trentë, po si çka!

– Nëse nesër bëhet Kuvendi, Kuvendi do të bëhej mbi flokët e sakrifikuara të avokatit….!

– Dhe ku me ditë për çfarë arsye, kjo është një sakrificë që të bën të qeshësh, jo veç që është sakrificë e leshtë…!

– Flokët rriten, prandaj ndoshta kjo sakrificë lë shumë për të dëshiruar….

– Pasi që avokati i ka hyrë kësaj pune, pres që ai të sakrifikojë diçka më interesante, diçka që më nuk kthehet…
s’di çka, sepse unë jam kundër sakrificave.

– Por, vlen të theksohet se romakët e vjetër e kanë çelur ngjyrën e flokëve të tyre me jashtëqitje të pëllumbave.

– Sakrifica e avokatit simbolizon gërshërët e Albin Kurtit gjatë fushatës zgjedhore…
kur Albin Kurti tha se VV-ja u bë gërshërë për kundërshtarët..
dhe gërshërët i demonstroi me dy gishta!

P.S. Derisa ‘Elita provinciale’ nuk duan ta bëjnë Kuvendin, i pashë vajzat e djemtë e Gazës me tenxhere në duar duke pritur para kazanëve me çorbë, të tmerruar qanin e bërtisnin nga uria.

– Elita provinciale’ (Sikur të mos isha e matur dhe e kujdeshme do të thoja ‘Elita katundare’), kanë harruar se kanë qenë refugjatë të Bllacës, para se të bëhen milionerë, duke e vjedhur shtetin…në emër të luftës!