Shtatë kërkesat e Osmanit drejtuar Kushtetueses lidhur me ngërçin, çka thuhet në dokumentin prej 27 faqesh që e dorëzoi sot
Presidentja Vjosa Osmani i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese lidhur me ngërçin institucional dhe afatin e caktuar për konstituim në Aktgjykimin e Kushtetueses që përfundon me 26 korrik dhe pasojat nëse konstituimi nuk bëhet brenda afatit.
Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar kërkesën e dorëzuar nga Osmani në Kushtetuese lidhur me konfliktin në mes të kompetencave kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës, që përmban 27 faqe. Aty Osmani i drejtohet Kushtetueses me shtatë kërkesa. Aty thuhet se drejtimi i Presidentes Gjykatës Kushtetuese vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme të saj për ta lehtësuar procesin e një marrëveshjeje politike që do të rezultonte meë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes kësaj kërkese kërkohet miratimi i kërkesës për masë të përkohshme; vlerësimi preventim i konfliktit të kompetencave mes institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit pas afatit kushtetues; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të mungesës së konstitutimit të Kuvendit brenda afatit që ka përcaktuar Kushtetuesja; zgjidhja e konfliktit kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar; të zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit dhe në fund t`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues.
Sa i përket masës së përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së mëtejme të afatit 30 ditor për konstituimin e Kuvendit, presidentja thotë se parandalon dëm të pariparueshëm dhe se është në interes publik.
Osmani ka shkruar edhe në Facebook lidhur me kërkesën e dorëzuar, që ka thënë se ka për qëllim mbrojtjen e rendit kushtetues të vendit nga pasojat e pariparueshme.
“Në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe stabilitetin e Republikës sonë, i bëj sërish thirrje të gjitha subjekteve politike që t’u japin qytetarëve atë që u takon me Kushtetutë: një Kuvend funksional dhe institucione që punojnë në interes të tyre”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se kjo kërkesë para Gjykatës nuk është një zgjedhje politike, por një obligim kushtetues dhe moral ndaj popullit të Republikës së Kosovës, i cili ka votuar për të pasur institucione funksionale.
“Interesi i vendit dhe Kushtetuta duhet të qëndrojnë mbi çdo llogari politike”, ka shkruar Osmani.
Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin qe 50 herë. Afati i caktuar nga Kushtetuesja për konstituim përfundon të shtunën.

