A ishte Rama sebep që Taravari të braktiste projektin e Kurtit?
Nëse Kurti ishte sebep për hyrje të Aleancës për Shqiptarët brenda koalicionit VLEN, Rama mund të ketë qenë ai që ka inkurajuar daljen e kësaj partie nga ky koalicion.
Në të vërtetë, kreu i ASh-së, Arben Taravari nuk e ka zënë në gojë kryeministrin Rama, porse e ka lënë të nënkuptuar.
Në një bashkëbisedim për Euronews Albania me gazetaren Esmeralda Mulaj, ish-Ministri i Shëndetësisë ka folur gjerësisht për gjendjen politike në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe prirjet proserbe të qeverisë aktuale, sidomos zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq.
“Është e vërtetë se zëvendëskryeministri aktual është shumë i afërt me Beogradin, madje edhe me qeverinë ruse si dhe me Dodikun, të cilin personalisht e solli në qendër të Shkupit”, ka thënë Taravari.
Përgjegjësia, sipas tij, është e kryeministrit meqë ministrat e zëvendësministrat zgjedhen prej tij.
“Dhe kryeministri duhet seriozisht ta shqyrtojë e mendojë sepse nuk është për të mirën e shtetit”.
I pyetur për largimin nga Qeveria në Maqedoni, Taravari ka thënë se është hera e parë prej 35 vitesh që një parti shqiptare largohet vullnetarisht nga qeveria.
“Vendosëm së bashku me partinë t’i lëmë pozicionet që kishim. Natyrisht kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me faktorë me relevancë për ne në rajon, por edhe ndërkombëtarë”, ka thënë ai.
Kreu i ASh-së ka bërë me dije disa nga prapaskenat e formimit të koalicionit VLEN, ku më së shumti kishte pasur gisht ish-kryeministri i Kosovës.
“Arkitekti politik i VLEN-it ka qenë zoti Kurti dhe pa garancat e tij as që do të bashkohesha në vitin 2024. Por VLEN-i ishte disfunksional. Të gjitha vendimet duhej të merrehin në kuadër të koalicionit, dhe kjo e bëri të pamundur funksionimin”, ka thënë ems të tjerash Taravari. /Nacionale/

