Rritet fluksi i mërgimtarëve – pritje deri në 30 minuta në pikat kufitare të Kosovës

Ardhja e mërgimtarëve në Kosovë ka ndikuar në rritjen e fluksit dhe pritjeve në pikat kufitare të vendit.

Sipas përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në hyrje të Kosovës, pritjet më të gjata janë regjistruar te pika kufitare Dheu i Bardhë, deri në 30 minuta për të hyrë në vend.

Në pikat tjera kufitare, pritjet janë më të shkurta, nga 5 deri në 10 minuta.

Edhe në dalje nga Kosova, situata paraqitet e ngjashme.

Te Dheu i Bardhë, qytetarët po përballen me pritje deri në gjysmë ore, ndërsa fluks i shtuar është regjistruar edhe në Jarinje dhe Merdare, ku situata është pothuajse e njëjtë.

Autoritetet kufitare po bëjnë thirrje për durim dhe po kërkojnë që qytetarët të informohen paraprakisht mbi kohën e pritjeve përmes kanaleve zyrtare.