Lutfi Haziri: Prej epitetit qytet i paqes dhe i respektit, Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë
Kryetari i LDK-së në Gjilan, deputeti Lutfi Haziri, ka reaguar pas tragjedisë së sotme, në të cilën si pasojë e të shtënave me armë, mbetën të vrarë tre persona dhe dy të tjerë të plagosur.
Ai ka thënë se prej epitetit qytet i paqes dhe i respektit, Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë.
Postimi i plotë:
Brenda dy ditësh Gjilani u trondit nga dy ngjarje të rënda, dhuna grupore ndaj një të miture dhe vrasja e sotme e trefishtë me një të plagosur, sipas raportimeve, duhet të jetë alarm për të gjithë.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan i dënon këto akte dhe kërkon nga organet kompetente zbardhjen e këtyre rasteve deri në fund.
Është e dhimbshme që prej epitetit qytet i paqes e i respektit dhe qytetit pa asnjë vrasje, në vitet e fundit Gjilani është shndërruar në qytet të dhimbjes së madhe e kronikës së zezë. Kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme.
I shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të personave të vrarë sot, ndërsa përsonit të plagosur i urojmë shërim të shpejt!

