Presidentja që e braktisi rastin e saj, sot apelon zbatimin e Aktgjykimit të Kushtetueses

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, gati paralelisht me subjektet opozitare, i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për bllokadën në Kuvend. Komandantja Supreme e tërhoqi lëndën e saj në mënyrë dramatike, veç pak ditë pasi pritej që lënda e saj të kishte një epilog, sa i përket ndarjes së kompetencave si dhe rolit të saj në situatën që u krijua në Kuvendin e Kosovës. E para e shtetit thirri konferencë për media, ku njoftoi, plot frymë e mllef se po e tërhiqte lëndën e saj.

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Radomir Llaban ishte gjyqtar raportues në lëndën e saj dhe për Presidenten kjo ishte e papranueshme, anipse sipas rregullave të Gjykatës Kushtetuese, ai s’do të ishte pjesë e kolegjit shqyrtues. Osmani tha se Llaban e rrezikon sigurinë kombëtare dhe për këtë arsye “e tërheq lëndën më të rëndësishme të dekadës së fundit”. Kjo në fakt ka përbërë edhe bazën e propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Gjykatës Kushteutese, menjëherë pas konferencës së Presidentes.

Por, kur Aktgjykimi i Kushtetueses me pothuajse të njejtin objekt trajtimi, doli në Gazetën Zyrtare, e ku pjesë e procesit si dhe e votimit ishte edhe gjyqtari Radomir Llaban, Presidentja po kërkon që ky Aktgjykim të respektohet, madje duke e quajtur urgjencë shtetërore.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”.

Osmani u ka bërë thirrje deputetëe që të veprojnë në frymën e mirëbesimit e bashkëpunimit, bash ashtu siç thuhet në aktgjykimet e Kushtetueses.

Ky institucion apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.” – thuet në reagimin e Presidencës.

Ndërkohë që Presidentja ka ndryshuar qëndrim dhe e sheh si të domosdoshëm zbatimin e këtij Aktgjykimi, për të cilin s’pati vërejtje, Vetëvendosje po e vazhdon fushatën propaganduese ndaj Gjykatës Kushtetuese, aty ku e la Presidntja Osmani, kur vendosi ta tërheq lëndën e saj.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka thirrur seancë për zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, të mërkurën, me fillim nga ora 11:00.