Aktgjykimi i Kushtetueses, Kurti: Votimi për Emilja Rexhepin s`mund të anulohet, serb është edhe Rashiqi
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konstatuar se Kuvendi nuk është konstituuar.
Ai ka bërë me dije se është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, Kuvendi duhet të vazhdojë punën.
“Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ne duhet ta shohim atë në mënyrë të plotë për të dhënë vlerësimin tonë, por ajo që mund të them tani është se konsideroj që është humbje kohe dhe dëm që nuk po funksionon Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kuvendi i Republikës e ka zgjedhë kryetarin Dimal Bashën, i ka zgjedhë katër nënkryetarët Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun, Kujtim Shalën dhe Emilja Rexhepin askush nuk është duke e zënë karrigen e zbrazët për nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Është dashur të vazhdoj puna e Kuvendit sepse shteti i Kosovës nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese nuk mund të anulojë votimin për Emilja Rehepi.
“Emilja Rexhepi është nënkryetare e Kuvendit, nuk mundet votimi për Emilja Rexhepin të anulohet. Prandaj ne kemi ngelur vetëm te nënkryetari i fundit nga komuniteti serb. Por mos harroni, nuk janë serbë vetëm ata të Listës Serbe, serb është edhe Nenad Rashiq”, ka deklaruar ai, duke e kritikuar “opoziten” që nuk e ka votuar Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit.
“Në njërën anë përfaqësuesi i Listës Serbe i mori vetëm 10 vota, e Nenad Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’ia jepnin këta 52 që janë të opozitës, sot nuk ishim duke i bërë këto pyetje dhe këto përgjigje”, ka thënë Kurti.
Çka tha gjykata?
Gjykata Kushtetuese këtë javë e ka publikuar dispozitivin e aktgjykimit të tretë për ngërçin politik, i cili ka të bëj me mos zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Në dispozitiv gjykata ka konstatuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar gjykata.
“TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, ka vlerësuar gjykata, duke ua rikujtuar deputetëve obligimet.
“TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, është thënë në dispozitiv.
Më tej, Kushtetuesja ka vlerësuar që të vazhdojë masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi.

