Endokrinologia thotë se diabeti po merr përmasat e një pandemie: Kujdes ushqimin dhe bëni aktivitet fizik
Dita Botërore e Diabetit, kujtohet çdo 14 nëntor, në nder të ditëlindjes së Frederick Banting, i cili së bashku me Charles Best zbuluan insulinën në vitin 1922, një zbulim revolucionar jetëshpëtues.
Mjekja endokrinologe, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 1 në kryeqytet, Arjola Zeqollari u shpreh në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, se diabeti në vendin tonë është mjaft i përhapur.
“Diabeti po merr përmasat e një pandemie në vendin tonë, pasi çdo ditë diagnostikohen shumë raste të reja me diabet, madje dhe në moshë të re”, tha Zeqollari.
Si faktorë kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve me diabet, mjekja endokrinologe rendit mungesën e aktivitetit fizik, jeta sedentare, mbipesha dhe obeziteti, si rezultat i ushqyerjes jo të shëndetshme, duhanpirja, alkooli etj.
Zeqollari shprehet se simptomat e diabetit mund të jenë shumë të ndryshme nga njëri pacient tek tjetri.
“Pacientët mund të ankohen për lodhje, dobësi trupore, turbullim të shikimit, tharje goje, urinim të shpeshtë, rënie në peshë, shfaqja e plagëve të ndryshme që shërohen me vështirësi etj. Por, ndodh që pacientët të mos kenë asnjë shenjë që tregon për diabet dhe zbulohen në mënyrë rastësore. Për këtë arsye është i nevojshëm dhe kontrolli periodik pasi diabeti mund të mos ketë shenja”, pohoi ajo.
Një faktor me ndikim në parandalimin e diabetit, sipas mjekes Zeqollari është ushqyerja.
“Nëse kujdesemi që të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme, me një dietë të ekuilibruar, duke konsumuar sa më shumë perime dhe zarzavate, larg ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyrash dhe karbohidratesh, atëherë do të ruajmë një peshë të përshtatshme trupore (BMI 19-25) duke parandaluar ose shtyrë në kohë shfaqen e diabetit”, vijoi ajo.
Zeqollari cilësoi se njëherësh aktiviteti fizik ka ndikim shumë të madh në kontrollin e diabetit.
“Nëse do të flisnim për tri shtyllat e mjekimit të diabetit ato janë dieta, aktiviteti fizik dhe mjekimi me medikamente. Nëse nuk zbatojmë dietën, nuk bëjmë aktivitet fizik, atëherë edhe mjekimi dështon në arritjen e objektivave”, tha Zeqollari.
Mjekja endokrinologe u shpreh zakonet e këqija që duhen të shmangen janë konsumimi i duhanit, konsumimi i alkoolit, mungesa e aktivitetit fizik, shmangia e përdorimit të makinës sa të jetë e mundur etj.
“Stresi ka një rol negativ mbi nivelin e glicemive, stresi e rrit diabetin pasi gjatë stresit çlirohet hormoni i kortizolit, i cili rrit glicemitë”, tha Zeqollari.
Zeqollari nënvizoi se diabeti sot trajtohet duke filluar me dietën, me aktivitetin fizik pa të cilat edhe mjekimi medikamentoz dështon.
“Fatmirësisht gama e medikamenteve që trajtojnë diabetin shtohet vit pas viti, duke shtuar dhe mundësitë e trajtimit më të mirë të pacientëve. Kontrolli periodik është shumë i domosdoshëm për pacientët me diabet në mënyrë që të parandalohet shfaqja e komplikacioneve afatgjata si dëmtimi i syve, dëmtimi i veshkave, dëmtimi i zemrës, ngushtimi i enëve të gjakut etj., pasi diabeti i pamjekuar dhe i pastabilizuar dëmton të gjitha organet”, theksoi ajo.
Në Ditën Botërore të Diabetit, mjekja endokrinologe ndan edhe mesazhin që të gjithë të kujdesen për shëndetin duke bërë aktivitet fizik, ushqyerje në mënyrë të shëndetshme, kujdes për të mos shtuar në peshë dhe kontrollet periodike tek mjeku me analiza të përgjithshme afërsisht një herë në vit. /ATSH/

