Agani: Pa familje të shëndoshë, nuk ka Kosovë të fortë

Ferid Agani ka vendosur t’i rikthehet politikës. Ai është në dhjetëshen e parë në listën e LDK-së për zgjedhjet e dhjetorit.

Ju njoftoj me përgjegjësi të plotë se kam vendosur të garoj për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit politik ndërmjet Partisë së Drejtësisë dhe LDK-së.

Postimi i plotë:

Në këtë listë unë kam numrin 9, ndërsa nënkryetarja e Partisë së Drejtësisë, znj. Xhylije Ibrahimi, garon me numrin 93.

Motoja jonë është e thjeshtë, e drejtë dhe e domosdoshme: zgjidh shpresën!

Shtylla e parë: Familja – fillimi dhe fundi i stabilitetit shoqëror

Familja është institucioni më i fuqishëm i shoqërisë sonë.
Ajo është vendi ku lind karakteri, ku trashëgohen vlerat dhe ku ndërtohet qëndrueshmëria e kombit.

Angazhimi im i parë politik është:

– Mbrojtja e vlerave familjare;
– Përkrahja e prindërimit dhe fëmijëve;
– Politika sociale që forcojnë familjet;
– Një mjedis shoqëror që i respekton, e jo që i godet vlerat tona tradicionale;
– Siguri, stabilitet dhe mbështetje për familjet në vështirësi.

Pa familje të shëndosha, nuk ka Kosovë të fortë.

Shtylla e dytë: Reforma e Ndërprerë e Shëndetësisë (2015) – Detyrim për ta Vazhduar

Nga viti 2011 deri në 2014, gjatë mandatit tim si ministër i shëndetësisë, Kosova ndërtoi themelet e një reforme moderne shëndetësore:

– arkitekturën ligjore të sigurimeve shëndetësore,l
– modelin e ri të financimit
– transformimin e SHSKUK-së në ndërmarrje publike profesionale të nivelit qendror
– rrjetin komunitar të shëndetit mendor
– standardet e trajtimit dhe kontrollit të cilësisë.

Por në vitin 2015, kjo reformë u ndalua padrejtësisht. U ndërprenë proceset që do ta kishin bërë Kosovën sot me një sistem shëndetësor modern, të drejtë dhe efikas.

Pasojat i shohim çdo ditë
– mungesë e investimeve
– mungesë e standardeve
– migrim i profesionistëve
– qasje e dobët e pacientëve
– degradim i shëndetit mendor.

Si bashkautor i kësaj reforme e konsideroj detyrim moral dhe profesional të punoj për:

Rikthimin, modernizimin dhe përfundimin e reformës së ndërprerë të shëndetësisë.

Prioritet: Shëndeti Mendor

Shëndeti mendor është boshti i mirëqenies së individit dhe i stabilitetit të shoqërisë.
Do të angazhohem për:
– rritje të financimit;
– qendra komunitare funksionale;
– qasje dinjitoze dhe humane për pacientët;
– standarde profesionale për trajtim cilësor, veçanërisht të fëmijëve dhe rinisë.

Kjo garë nuk është vetëm politike — është një mision për t’i kthyer Kosovës stabilitetin, drejtimin dhe vizionin.