Gjilan, digjet vetura në vlerë rreth 14 mijë euro, dyshohet zjarrvënie e qëllimshme
Një rast i dyshuar i zjarrvënies është raportuar në orët e hershme të mëngjesit të 12 dhjetorit 2025 në Gjilan, në lokacionin e njohur si “Bunari i Përlepnicës”.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, rreth orës 02:30 Policia ka pranuar njoftim telefonik se një automjet ishte kapluar nga zjarri në një pronë private.
Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ndërsa në lokacion kanë intervenuar edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Ankuesi, A. Q, ka deklaruar se automjeti i tij është djegur pothuajse tërësisht, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar vlerësohet rreth 14 mijë euro. Sipas tij, aktualisht nuk ka dyshime konkrete ndaj ndonjë personi të caktuar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si “Zjarrvënie” dhe të procedohet për hetime të mëtejme.
Autoritetet kompetente janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

