Pas arrestimit të Arianit Sllamnikut, policia fton për bashkëpunim qytetarët që kanë marrë shërbime nga ky person

Kryeprokurori i Prokurorisë në Gjilan, Arben Kadriu, e ka konfirmuar për Gazetën Express arrestimin e Arianit Sllamnikut.

Kadriu tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ai shtoi se Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i KPRK-së dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.

Ndërkaq policia ka kërkuar bashkëpunimin e familjeve që kanë pranuar trajtime shëndetësore nga Arianit Sllamniku.

Policia e Kosovës fton të gjitha familjet dhe qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore, konsulta, terapi apo medikamente nga personi i lartcekur dhe që konsiderojnë se kanë pësuar dëm, qoftë material apo shëndetësor, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, thuhet në njoftim.