Prokuroria në Hagë: Të akuzuarit vepruan përmes një roli të fortë kolektiv

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare nga Prokuroria në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Prokurori Matt Halling deklaroi se Prokuroria ka trajtuar tashmë përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve, duke theksuar se kontributi i tyre duhet kuptuar përmes rolit të fortë kolektiv që kanë pasur si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, të akuzuarit kanë gërshetuar autoritetin e tyre individual dhe e kanë shndërruar atë në një strukturë shumë më të gjerë veprimi. “Në rolet që kishin, ata ishin në gjendje të shpërndanin qëllimin e përbashkët kriminal, të emëronin anëtarët e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NKP)’ dhe mjetet përkatëse, të koordinonin përpjekjet e tyre dhe të mohonin veprat penale me qëllim që të mashtronin bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Halling tha se parashtrimet për qëllimet e përbashkëta janë diskutuar më herët dhe se krimet e kryera përbëjnë kontribute të rëndësishme të NKP-së. Ai shtoi se strukturat përmes të cilave kanë operuar tregojnë kontrollin që ka pasur secili prej tyre.

“Çfarë është thënë deri më tani lidhet me përgjegjësinë e tyre individuale”, tha Halling, duke theksuar se nuk do të përsërisë dosjen përfundimtare të Prokurorisë apo deklarimet e folësve të tjerë, transmeton RTK.

Ai bëri të ditur se do të fokusohet në aspektet e mbetura të provave që lidhen me përgjegjësinë e të akuzuarve, duke trajtuar disa prova për secilin prej tyre dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja në dosjet përfundimtare.

Sipas Prokurorisë, e njëjta sjellje që përcakton përgjegjësinë sipas NKP-së 1 apo NKP-së 3, në mënyrë alternative, përcakton gjithashtu përgjegjësinë për ndihmë dhe inkurajim, si dhe përgjegjësinë eprorë.