Haga i liron me kusht Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun

Gjykata e Hagës i ka liruar me kusht Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

Më 2 shkurt 2026, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të modifikojë dënimin e Haxhi Shalës për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.

Këto kushte do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur nga 3 vitet e dënimit të tij.

Shala u lirua dhe u kthye në Kosovë sot.

Në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se Trendafilova mori parasysh se Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.

Ajo mbajti parasysh gjithashtu “marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi”.

Përveç Haxhi Shalës, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë.

Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Smakajt dhe Fazliut në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale.

Gjykata Speciale tha se megjithëse gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si Smakaj ashtu edhe Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

“Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet”.

Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që Fazliu dhe Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen.

Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh.